Sot ti je 23 vjeç dhe ke shkelur në shumë auditore pas asaj dite të dielltë të fillimshekullit XXI. E nëse këtë letër tani e bëj publike, këkoj ndjesë biri im. Por dua që ky urim sot t’i shkojë tërë vogëlushëve që për herë të parë, trembshëm nisin udhën e gjatë të shkollës. Urime dhe dëshirë, sidomos për të vegjëlit që kanë mësuar fjalë të cilat nuk duhej t’i kishin njohur kurrë… vuajtje, dhimbje, keqtrajtim…por që për fat të keq, janë skalitur tashmë në memorien e tyre, e cila si një tabelë e bardhë mban përjetësisht gjurmët e para të shkruesve….
Janë ca fjalë që pluhuri i kohës nuk arrin t’i mbulojë. Kanë bërë rrugë këto fjalë… që nga 17 vite, tingëllojnë sikur dje.
– Letër e shkruar në fillimshekullin e XXI….17 vite më parë….
Dedikuar (jo vetëm) ty …
Dashuria ime e vogël, sot në orën 08:00 ndërsa do të kapërcesh pragun e portës së rëndë të shkollës, dëshiroj me gjithë shpirt të marrësh me vete tërë entuziamin tënd, fantazinë tënde. Me to të ngjyrosësh bankën ku do të ulesh për herë të parë. Nuk ka rëndësi nëse je i drojtur, fjalëpak. Besomë drojtja jote është dhuratë, mos e harro këtë asnjëherë!
Uroj që ndërsa do të rrëshkasësh nëpër fletët e abetares të ndiesh aromën e ëmbëlsirave, jodin e detit, puhizën e alpeve, magjinë e mrekullive, të gjitha këto mes ngjyrave e gërmave të librit tënd të parë. Sepse, mbaje mënd biri im: kujtimet janë pjesë e historisë tënde.
Lutem të ndiesh kënaqësinë e shkumësit mbi tabelë. Nuk ka rëndësi nëse do të bësh gabime ndërsa shkruan, sepse kur korrigjohen e kuptohen gabimet, atëherë ato nuk përsëriten më asnjëherë.
Sa dua të kryqëzosh vështrimin me atë që do të jetë miku yt i ngushtë. Gëzofshi bashkë miqësinë siç di vetëm mosha juaj ta shijojë.
Shpirti ma do të provosh drithërimat e të qenit i pari klasës, sepse kështu mbase do të jesh gjithmonë timonieri i jetës tënde, por nuk ka rëndësi edhe nëse nuk je në krye. Do të thotë që nesër do të jesh duke rendur për të arritur të ardhmen tënde. Është bukur, më beso!
Drita ime uroj të arrish të shkruash emrin tënd saktë, brenda vijave, por edhe të dalësh nga vijat kur nuk do të të duket e drejtë ajo që të tjerët bëjnë.
Mëso fjalë të vështira biri im, me ngjeshje të bashkëtingëlloreve, me dhe pa ë-në fundore, por qofshin fjalë zemre, të vërteta, fjalë ndjese, fjalë urimi, falenderimi, ndryshimi…
Nesër kur të jesh pak më i rritur, do të çuditesh me këtë dëshirë të pazakontë timen, por sot uroj të dështosh herë pas here, sepse fitoret që do të vijnë më pas do të kenë një shije marramendëse, unike, shijen tënde.
Shpresoj që egoizmat, konkurrenca dhe indiferenca midis bankave të zhduken dhe t’i lënë vendin mikpritjes, bujarisë… e nëse nuk e gjen, të lutem, kërkoje ti vetë i pari.
Njih tërë sfumaturat e ngjyrave, përfshirë edhe atë të lëkurës apo të ajrit, sepse lëkura dhe ajri mund të shpërbëhen në mijëra reflekse nëse ti vetë do të dëshirosh.
Dua të të shoh duke luajtur futboll me Megin, të bësh byzylykë fidhesh me Eltonin, e pastaj të ndash me tërë klasën kekun e ditëlindjes tënde.Të gjithë bashkë, sepse lojërat nuk kanë gjini dhe keku shijon njësoj për të gjithë.
Dashuria ime e madhe, uroj tërë këto e shumë e shumë të tjera për ty shpirt. Mbi të gjitha unë dua qetësinë dhe paqen tënde.
………………………………….
Për të gjithë ju vocërrakë, gëzuar ditën e parë të shkollës, paçi një vit të mbarë, qofshi të rrethuar nga mësues që ju shohin në dritë të syrit, ashtu siç ne prindërit ju përcjellim drejt tyre!
(Nga Natasha Shuteriqi Poroçani, Portali Shkollor)