Këshilli Bashkiak i Elbasanit në mbledhjen e tij të radhës ka vendosur të rrisë tarifën e transportit urban me 33%, duke e çuar nga 30 lekë në 40 lekë. Ky vendim vjen në një kohë ku transporti publik po përballet me vështirësi të mëdha për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimit të karburantit. Rritja e çmimit të naftës ka filluar të sjellë edhe pasojat e para në vendin tonë. Transporti urban ka shkurtuar numrin e autobusëve, duke bërë që dhjetëra qytetarët të presin edhe 1 orë në stacion.
Në Elbasan çmimi i biletës së transportit publik nuk është ndryshuar që nga viti 2015.
Transporti i udhëtarëve ka qenë një nga sektorët më të goditur në dy vitet e fundit edhe për shkak të pandemisë Covid-19. Rritja e biletës ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e operatorëve me argumentin se nuk mbulojnë dot kostot.
Indeksimi i çmimit të biletës së transportit urban nuk bëhet për kompensimin e karburantit, pasi një skemë e tillë po aplikohet nga qeveria qendrore.