Rritet numri i infektimeve në Elbasan, mjekët: Po infektohen në masë edhe fëmijët, shmangni grumbullimet

Rastet me covid janë rritur edhe në Elbasan. Mjekët thonë se mes të infektuarve ka edhe shumë fëmijë ndërsa rekomandojnë kryerjen e vaksinës për personat mbi 12-vjeç.

Në Elbasan ditët e fundit është shtuar ndjeshëm numri i personave të infektuar me covid-19.

Mjekët thonë se mes të prekurve ka edhe shumë fëmijë.

“Kemi infektime masive familjare. Nga 2,3,4 në shtëpi. Shikojmë një prekie masive dhe të grupeve të fëmijëve të vegjël. Pra të moshave nga 0-7 vjec,” tha Erleta Hilja.

Shkak i rritjes së rasteve sipas Shefes së Shërbimit Epidemiologjik, është qarkullimi i varianteve të reja.

“Mendojmë se është pikërisht fakti që temperaturat e larta kanë favorizuar rishfaqjen e varianteve të reja. Mund të mendohet njëkohësisht që është pjesë e grumbullimeve të tepërta të njerëzve në evenimente apo plazhe, bar kafe,” tha ajo.

Për të shmangur infektimin mjekët këshillojnë që të mos frekuentohen vendet ku ka grumbullime si dhe të mbahet maska në ambientet e mbyllura.

“Në vendet ku ka grumbullime dhe sidomos nëpër supermarkete, qendra tregtare, gjithsecili duhet të jetë i ndërgjegjshëm që Covid-i është midis nesh. Mënyra e vetme për ta shmangur është mbajtja e maskës, por njëkohësisht dhe shmangia e grumbullimeve, jeta e natës, plazhet,” tha ajo.

Vaksina mbetet mjeti më efektiv në mbrojtjen ndaj covid ndaj rekomandohet marrja e injeksionit për personat mbi 12 vjeç.

“Patjetër që vaksinimi është i domosdoshëm, pasi është vërtetuar dhe duket qartazi që vërtet kemi të infektuar, por ama të shtruar në spital ne nuk kemi. Gjë që duket që ky variant është pa komplikacione jetike, por nga ana tjetër vaksinimi duhet të vazhdojë dhe është e vetmja mënyrë për të frenuar komplikacionet e infeksionit Covid,” deklaroi ajo.

Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore në qarkun e Elbasanit janë aktiv mbi 400 raste me Covid-19.