Rreziku nga qentë endacakë, me dhjetëra të pa vaksinuar në rrugët e Elbasanit

Në rrugët e qytetit të Elbasanit gjen kudo qenë endacakë që sjellin shqetësim dhe frikë tek qytetarët. Referuar shifrave të marra nga klinika veterinare, afro 90 qenë endackë lëvizin në zona të ndryshme në pamundësi të strehimit të tyre në një qendër të dedikuar për ta.

Po ashtu ata nuk janë as të vaksinuar. Më të rrezikuarit janë të moshuarit dhe fëmijët të cilët mund të bien pre e kafshimeve dhe si rrjedhojë infeksioneve të ndryshme.

“E frikshme është, qëlloi që më lindi goca në 3 të natës dhe isha vetëm me gocën unë mu turrën qentë mbrapa”,-tha një qytetare

“Nuk i nxjerr dot kalamajt përjashta se unë këtu jam te Dyli Haxhire nuk i nxjerr dot”,-tha një qytetare tjetër.

Braktisja e kafshëve në mënyrë të papërgjegjshme nga njerëzit ka bërë që numri i tyre në hapsirën publike të rritet.

Sipas veterinerit Bledjan Oga, ndërgjegjësimi duhet të vij së pari nga qytetarët.

“Nga ka nisur ky problem që ka shumë qen në rrugë, qytetarët vetë i kanë braktisur në rrugë. Në momentin që është braktisur në rrugë një femër mashkull ata shumfishohen dhe numri vjen në rritje. Gjëja parë që duhet bërë është ndërgjegjësimi i qytetarëve të mos i braktisin në rrugë. Tjetra pastaj mund të zhvillohen projekte kap sterilizo dhe lësho. Në momentin kur është i steriliziar nuk ka shumim”,-tha veterineri Bledjan Oga.