Kryeministri Edi Rama në një komunikim live në facebook ka folur në lidhje me rritjen e rasteve në dy ditët e fundit, ku janë regjistruar nga 18 raste. Ai u shpreh se përveç disa gjërave, gjithçka tjetër do të jetë e hapur: “Nga e hëna përveç transportit publik, aktiviteteve sportive dhe kulturore në mjedise të mbyllura nuk do kemi asgjë tjetër të mbyllur.
Pra hiq transportin publik për të cilën do të flas edhe më pas pse është një problem shumë i madh në këto kushte dhe pse më të drejtë shumë kush nga ju është i shqetësuar për mungesën e transportit publik, por duhet të jetë i vetëdijshëm se nuk është hapur transporti publik ende.
Pra hiq transportin publik, baret dhe restorantet në mjedise të mbyllura, hiq palestra, qendra sportive, teatro, kinema dhe klube nate apo lokale lodrash për fëmijë të mbyllura, gjithçka tjetër do të jetë e hapur. Zonat e gjelbra janë “shpërblyer” për numrin ulët të të infektuarve, ku nga e hëna qarkullimi do të jetë i lirë, qoftë për lëvizjen me këmbë apo makinë!
Që do të thotë në këto zona nuk do të kenë më fasha orari që kufizojnë lëvizjen pas një orari të caktuar, e ndërsa vijojnë të mbeten në fuqi në zonat e kuqe. Ishte ky njoftimi i kryeministrit Edi Rama pasditen e kësaj të premte, teksa sqaroi se në rast se do të ketë një rritje të numrit të infektuarve, siç ka ndodhur sot, zonat e gjelbra do të kthehen në të kuqe ose anasjelltas, madje paralajmëroi se mund të arrihet deri në vendimin ekstreme, në rimbyllje si më parë.
Çdo gjë e keqe e ka një të mirë”…duke e përkufizuar kështu, kryeministri ka dhënë dhe një lajm të rëndësishëm sa i përket sezonit turistik këtë verë. Këtë vit nuk do të jepet asnjë leje për plazhe private me përjashtim të hapësirave përpara hoteleve.
Të gjitha të tjerat, tha Rama, do të jenë publike si kurrë më parë. Në fund, pati një paralajmërim për shefat e komisariateve, që të mos mbyllin sytë para shkeljeve të rregullave të COVID-19, ose dotë kenë fatin e Oltion Agollit, i cili u shkarkua nga detyra për shkak të lëvizjeve që ka pasur ditëve të fundit te Parku i Liqenit.