Reparti i Xhenios i Forcave të Armatosura ka riparuar urën e Xhyrës në Librazhd, duke rikthyer në normalitet qarkullimin për rreth 2 000 banorë të kësaj zone.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë një inspektimi të urës së rivënë në funksion pas dëmtimeve të shkaktuara nga reshjet, bëri të ditur se puna është realizuar në kohë rekord.
Vengu nënvizoi se të gjitha strukturat e emergjencave, Forcat e Armatosura dhe bashkitë janë të angazhuara në rehabilitimin e zonave të dëmtuara nga rrëshqitjet e dherave, si edhe të infrastrukturës kritike që lidh zonat me njëra-tjetrën.
Ai theksoi se zona e Xhyrës ka një rëndësi të veçantë edhe për turizmin. “Këtu ka bujtina, verë, kulinari dhe është një zonë mjaft atraktive për turizmin”, u shpreh Vengu.
Ministri bëri të ditur se puna po zhvillohet paralelisht në disa qarqe, si në Selenicë të Vlorës, Gjirokastër dhe Delvinë. Ndërkohë, ndërhyrjet kanë përfunduar në Laç dhe Shkodër, ndërsa mbeten për t’u realizuar dy ura në Tiranë, në zonën e Baldushkut, si dhe në Elbasan e Librazhd, ndër të tjera.
Vengu kujtoi gjithashtu se në buxhetin e vitit 2026 Ministria e Mbrojtjes ka çelur thirrjen për infrastrukturën parandaluese, ku përfshihen edhe urat, jo vetëm ato të tipit “bailey”, por edhe ura klasike me betonarme, me qëllim përballimin e kushteve të vështira.
Vendi ynë u përfshi ditët e fundit nga reshje intensive shiu dhe bore, të cilat shkaktuan problematika në qarkullim, si edhe rrëshqitje dheu në disa akse rrugore, duke bllokuar ose kufizuar lëvizjen e automjeteve.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.