Juli ka lindur në 1978 në Elbasan, e që kur hapi sytë jeta nuk u tregua bujare me të.
Babai biologjik nuk e pranoi si fëmijën e tij, të qenurit me aftësi të kufizuara . Mirëpo e ëma, Vera e rigjeti forcën e besimin te një martesë e dytë për të rritur djalin.
“Babai më braktisi se isha ndryshe. Kurse mami për mua linte kokën, edhe babai që më rriti. Ishin njerëz të mrekullueshëm”-shprehet Julian Zyrakja.
Kur refuzimin e kishte hasur në familje, Juli nuk e kishte të lehtë të mposhte paragjykimet në shkollë.
“Kisha syze dhe i ndërroja 3-4 herë se m’i thyenin. E nuk vendosa më. Bullizëm shumë i keq. Më gjuanin me gur, më grisnin librat, aq sa vendosa sa mbarova shkollën 8-vjeçare të mos vazhdoja më arsimimin.“-tregon ai.
Për fat, dashurinë e munguar në shoqëri, ai e gjente në familje. Lidhja e Julit me njerkun ishte e fortë, deri kur në moshën 35 vjeçare Juli e humbi atë nga një infarkt kardiak e 10 vite më vonë, dhimbja iu shtua kur e ëma i ndërroi jetë pas infektimit me covid.
Vetminë në shtëpinë e vogël e mbyt me shfletimin e fotografive, si dhe hedh në kompjuter kujtimet në një libër kushtuar prindërve. Një libër që nuk ka mundësi ta botojë, e që shpreson këtë ëndërr t’ja realizojnë shikuesit e Top Channel.
“Kujdesin që kanë treguar ata për mua, e meritojnë tua tregoj me këtë libër. Por nuk e botoj dot se kushton shumë shtrenjtë”.
I mësuar me sfidat, Juli zgjodhi të lërë në të shkuarën frikën e të vazhdojë që prej 12 shtatorit 2022 arsimin e mesëm në shkollën e natës, duke përmbushur amanetin e prindërve.
“U regjistrova se ishte meraku i tyre. Plani im është të vazhdojë përpara. Pas gjimnazit do bëj universitetin e dua të krijoj familje!”/tch