Rikonstruktohet shkolla “Vilson Blloshmi” në Librazhd, një premtim i mbajtur për arsimin

Një tjetër premtim i mbajtur në fushën e arsimit po bëhet realitet në Librazhd. Shkolla 9-vjeçare “Vilson Blloshmi” po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, ndërsa paralelisht po ndërtohet edhe palestra moderne që do t’u shërbejë nxënësve dhe komunitetit shkollor.

Ky investim, i cili realizohet falë bashkëfinancimit të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Librazhd, do t’u ofrojë kushte bashkëkohore 500 nxënësve dhe 38 mësuesve që zhvillojnë mësimin në këtë institucion.

Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e këtij projekti për përmirësimin e cilësisë së arsimit në qytet:

 “Rikonstruksioni i shkollës ‘Vilson Blloshmi’ dhe ndërtimi i palestrës janë pjesë e vizionit tonë për #Shqipëria2030. Ne po investojmë në arsim dhe në të ardhmen e fëmijëve tanë, sepse çdo klasë e re dhe çdo hapësirë më e sigurt do të thotë më shumë mundësi për zhvillim,” — u shpreh kryetari.

Punimet pritet të përfundojnë së shpejti, duke i dhënë Librazhdit një tjetër shkollë model në infrastrukturë dhe kushte bashkëkohore për mësim.