Riaktivizohet infeksioni në Elbasan, Tirana vijon kryesimin: Shifrat e reja të të prekurve gjatë 24 orëve

Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një 78-vjeçar nga qyteti i Durrësit i prekur me koronavirus, duke çuar numrin e viktimave në 16. Në total janë konfirmuar 277 të prekur (18 raste të reja brenda 24 orëve), 8 prej të cilëve janë fëmijë. Në komunikimin e përditshëm për mediat, ministria e Shëndetësisë, ka dhënë detaje lidhur me rastin e 78-vjeçarin.

Përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Rovena Daja sqaron se 78-vjeçari ishte në gjendje të rëndë, i intubuar prej 3 ditësh dhe pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë. Mes 96 testeve të kryera gjatë 24 orëve të fundit, 9 kanë qenë për mjekët, të cilët kanë rezultuar fatmirësisht të gjithë negativë.

Zona më e prekur gjatë 24 orëvë të fundit duket të jetë Hasi me 6 raste të reja, ndrësa ndiqet nga Tirana dhe Elbasani me nga 3 raste të reja secili qytet.

Në total, Tirana arrin në 143 raste, Durrësi në 30 raste, Fieri në 23 raste, Shkodra me 10 raste dhe Hasi me 8 raste.