Shtabi i Emergjencave Civile po monitoron situatën në Bashkinë e Elbasanit ku për momentin reshjet kanë filluar me një intensitet të lartë që nga dita e djelë e në vazhdim. Gjatë monitorimit të bërë nga Shtabi i Emergjencave Civile, bëhet me dije se “ në Bashkinë e Elbasanit deri më tani nuk ka asnjë raportim për problemet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut. Aktualisht në të gjithë territorin e Bashkisë nuk ka asnjë tokë bujqësore të përbytur apo shtëpi banimi si dhe asnjë problem me rrugët rurale dhe komunale. Shefi i Shtabit të Emergjencave Civile Ndriçim Sinani, pohon se “ situata po monitorohet periodikisht “. Sakaq gjatë orëve të mbrëmjes së të djelës, kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, bashkë me specialist të Shtabit të Emergjencave Civile, ka parë nga afër disa zona problematike, të cilat shkaktojnë rrallë herë përmytje, ku nga përroi i Zaranikës, ai ka pohuar se “ekipet e bashkisë janë në terren, në komunikim të vazhdueshëm me strukturat lokale për të sinjalizuar dhe përballuar çdo të papritur. Ne e kemi në vëzhgim Përroin për shkak edhe të reshjeve të cilat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Për këtë arsye gjatë të gjithë këtij muaji, Ndërrmarja e Shërbimeve Publike ka pastruar të gjithë përrenjtë e Njësive Administrative, përfshirë edhe atë të Zaranikës dhe Manazderes në qytet të cilat derdhen në Lumin Shkumbin, me qëllim shmangien e daljes së ujit jashtë shtratit. Për momentin nuk kemi asnjë raportim për problematika si në zonat rurale, ashtu dhe në zonën urbane”, tha kryebashkiaku.
Sakaq, ai i ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshmë dhe për çdo problematikë t’i drejtohen strukturave tona”.