Rekord infektimesh me Covid-19 në qarkun e Elbasanit. Ndërrojnë jetë 2 qytetarë nga Elbasani

Në Qarkun e Elbasanit gjatë 24 orëve të fundit është shënuar një rritje e ndjeshme e të prekurve me Covid. Raportohet se mbi 90 persona kanë rezultuar pozitivë për Covid ditën e djeshme, nga ku 35 raste u shënuan në Bashkinë e Librazhdit, një numër ky shumë i madh në krahasim me numrin e popullsisë të kësaj bashkie. Gjithashtu edhe 8 mësues kanë rezultuar pozitivë me Covid.

Shifër e lartë të infekturish është shënuar edhe në bashkitë e tjera të Qarkut të Elbasanit, 22 raste Bashkia e Peqinit dhe 10 raste në Bashkinë e Gramshit.

Ndërsa sot janë raportuar 54 të prekur në të gjithë qarkun e Elbasanit nga ku: 23 në Librazhd, 15 në Elbasan, 8 në Gramsh, 4 në Peqin, 2 në Cerrik.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 650 pacientë, 42 në terapi intensive, nga të cilët 12 pacientë janë të intubuar.

Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 19 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19: 10 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Elbasani, 2 qytetetar nga Berati, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Mati, të moshave 48-87 vjeç.

Në të gjithë qarkun e Elbasanit janë 917 raste aktive me Covid.