Regjistrohen incidente në disa qendra votimi, probleme edhe në Elbasan

Në disa qendra votimi, në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë mediet në vend raportojnë se janë shënuar incidente të vogla. Raportohet se deputeti i Komisionit të Rithemelimit pranë PD-së, Flamur Noka ka hyrë në qendrat e votimit të vendosura në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”.

Prania e Nokës në qendrat e votimit duket në fotot e publikuara.

Edhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, në Elbasan Luçiano Boçi raportohet se ka hyrë në një qendër votimi.

Në një video të publikuar nga mediet shfaqet deputeti i Komisionit të Rithemelimit pranë Pd-së, Edmond Spaho duke tërhequr një person për ta nxjerrë jashtë qendrës së votimit.

Duke komentuar përplasjen fizike të deputetit të Rithemelimit, Edmond Spaho me një qytetar brenda një qendre votimi në Zvezda, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi e ka konsideruar si një veprim të përsëritur nga ligjvënësi demokrat.

Ai tha se Spaho është munduar edhe herë të tjera të bëjë emër nëpërmjet gjesteve të tilla, ndërsa e cilësoi si një incident të vogël që nuk do të mbahet mend gjatë.

“Më vjen keq kur dëgjoj për incidente të tilla sidomos nga deputetë. Nuk është hera e parë që ky individ mundohet të bëjë emër nëpërmjet gjesteve dhe sjelljeve shumë të këqija, aspak qytetare, duken si rrufe në qiell të kaltër. Janë tërësisht të huaja në shoqërinë tonë, por gjithsesi janë incidente të vogla që nuk lënë ndonjë gjurmë të rëndësishme. Nesër do harrohen, jemi qytetarë të përgjegjshëm dhe më mirë se deklaratat politike, përgjigjen e jep populli”, tha Peleshi.

Incidente janë shënuar edhe në Durrës, ku nga media raportohet se është bllokuar votimi në një qendër votimi në qytetin e Durrësit, pasi është konstatuar prania e disa persona të paautorizuar, çka rrezikon zhvillimin e rregullt të procesit.

Mediat raportojnë se ka qene policia e Durrësit që ka ndërhyrë dhe i ka larguar këta persona të paautorizuar dhe më pas procesi i është rikthyer normalitetit.