Rasti i dytë brenda pak ditësh/ Masakër në Serbi! 21-vjeçari vret tetë persona dhe plagos 14 të tjerë

Një tjetër masakër ka ndodhur në Serbi, ku në fshatin Dubona një 21-vjeçar ka vrarë 8 persona dhe plagosi 14 të tjerë.

Sipas informacioneve, 21-vjeçari i biri i një oficeri të ushtrisë serbe i identifikuar si Uros B. qëlloi me automatik tek një automjet në lëvizje pranë fshatit, 60 km në jug të Beogradit dhe pas aktit ai u arratis.

Më shumë se 600 forca policore u vunë në ndejkje të autorit, ndërsa ai u arrestua në mëngjes pranë qytetit të Kragujevacit, që ndodhet rreth 60 kilometra në jug të komunës së Mlladenovacit, sipas RTS.

Mes tetë viktimave, autori vrau një polic dhe motrën e tij.  Dyshohet gjithashtu se mes të vdekurve janë edhe një nga vëllezërit e tij, kunata dhe një djalë 12-13 vjeç, nipi i tij.

Kjo ngjarje e rëndë vjen një ditë pasi Serbia u trondit nga masakra, ku një djalë 13-vjeçar hapi zjarr ndaj shokëve të klasës në një shkollë në Beograd. Të shtënat lanë të paktën tetë fëmijë të vdekur dhe rojën e sigurisë së shkollës.

Deri këtë javë, të shtënat masive ishin të rralla në Serbi, pavarësisht shkallës së lartë të zotërimit të armëve në vend. Serbia ka nivelin më të lartë të posedimit të armëve civile në Evropë, dhe të pestën më të lartë në botë, një trashëgimi e viteve të konfliktit në1990-ën.