Friday , July 11 2025

Qirinjtë në vendin e shenjtë dyshohet se shkaktuan zjarrin në Krastë të Elbasanit

Flakët në pyllin e Krastës në Elbasan që u shuan pas disa orësh dje (17 Qershor), dyshohet se janë shkaktuar nga ndezja e disa qirinjve.

Bëhet fjalë për një vend të shenjtë që ndodhet në zonë, por zjarri doli jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe toke pyjore të konsiderueshme.

Për të shuar zjarrin e ditës së djeshme në Elbasan u deshën të ndërhynin edhe efektivë të Forcave të Armatosura.

Thatësira dhe era e fortë ndihmuan flakët që të përhapeshin me shpejtësi duke përshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me dru pishe dhe vegjetacion të dendur.

Krasta e Elbasanit është një zonë kodrinore-malore në pjesën verilindore të qytetit.

Përveçse e njohur për vlerat e saj natyrore, ekologjike dhe historike, ajo konsiderohet si një nga “mushkëritë e gjelbra” të qytetit.

Shpesh vizitohet nga banorët për ecje, sporte natyrore dhe relaks. /tvklan.al