“Qëndroni në shtëpi!”/ ALARMI: Situatë e ngarkuar me virozat në Elbasan qindra qytetarë në ditë në urgjencë

Mjeku Ergys Mici, shef i Urgjencës në Elbasan, ka njoftuar se qytetarët po paraqiten në masë në spital me simptoma të virozave stinore, duke përfshirë temperaturë të lartë, rrufë dhe vështirësi në frymëmarrje.

Në vetëm 24 orë, janë trajtuar mbi 200 raste, ndërsa disa prej tyre kanë kërkuar hospitalizim. “Më shumë kemi raste me simptoma të zakonshme, por ka edhe situata të komplikuara që kërkojnë trajtim spitalor. Megjithatë, situata nuk është alarmante,” tha Mici.

Ai theksoi se ndryshimi i klimës dhe përhapja e virozave gjatë festave të fundvitit kanë ndikuar në rritjen e numrit të të infektuarve. Mjeku Mici ka evidentuar se më të prekurit janë moshat e treta dhe të sëmurët kronikë, të cilët kanë nevojë për kujdes të veçantë.

Për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virozave, ai këshillon qytetarët të respektojnë masat mbrojtëse, të kryejnë vaksinimin sezonal dhe të shmangin kontaktet e panevojshme me njerëz të tjerë gjatë periudhës së infektimit.

Pavijoni i Pediatrisë gjithashtu po përballet me një situatë të ngarkuar, ku një numër i konsiderueshëm fëmijësh po trajtohen për shkak të infeksioneve respiratore. Mjekët sugjerojnë që personat e prekur nga virozat të qëndrojnë në shtëpi për dy ose tre ditë dhe të mos neglizhojnë komplikacionet. Në rast përkeqësimi të gjendjes, qytetarët duhet të konsultohen menjëherë me mjekun e familjes.

Kujdesi dhe ndërgjegjësimi janë thelbësore për të menaxhuar këtë situatë dhe për të mbrojtur grupet më të rrezikuara.