Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan reagon ndaj gjuhës denigruese në media:

Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan reagon ndaj gjuhës denigruese në media: “Cenohen parimet demokratike dhe liritë themelore të njeriut”

Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan ka publikuar një deklaratë zyrtare, ku shpreh mbështetjen e saj institucionale për Koalicionin Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës dhe për Pastor Akil Panon, pas sulmeve verbale dhe gjuhës denigruese të shfaqura së fundmi në media dhe rrjetet sociale.

Në deklaratë nënvizohet se, si një institucion i angazhuar në kultivimin e dialogut dhe harmonisë ndërfetare, Qendra shpreh shqetësim të thellë për përhapjen e gjuhës së urrejtjes ndaj një përfaqësuesi të klerit dhe ndaj një institucioni që mbron vlerat themelore të familjes, jetës dhe lirisë së besimit.

Sipas Qendrës, “çdo formë kërcënimi apo diskreditimi publik ndaj klerikëve përbën cenim të parimeve demokratike dhe të të drejtave themelore të njeriut”, duke theksuar se debati publik nuk duhet të shndërrohet në platformë për sulme personale apo denigrim të figurave fetare.

Institucioni u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që të monitorojnë me seriozitet situatën dhe të garantojnë standardet e mbrojtjes së dinjitetit dhe lirisë së shprehjes për përfaqësuesit e komuniteteve fetare në vend.

Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan riafirmon përkushtimin e saj për promovimin e paqes, dialogut dhe respektit të ndërsjellë, duke theksuar se mbrojtja e lirisë së besimit dhe e figurave fetare është detyrim themelor në një shoqëri demokratike.