Nga: Saimir ALIJA
Bukuritë natyrore dhe magjepsëse që të ofron anë e mbanë Shqipëria jonë e bukur janë të panumërta dhe do të duhej të shkruaje pafundësisht për to dhe përsëri zor se përfundon.
E tillë është edhe Qarrishta, një fshat i largët i rrethit të Librazhdit, i cili shtrihet mes maleve në një lartësi prej 950 metrash.
Në këtë fshat çdo të diel të parë të qershorit mblidhen nga kudo që jetojnë, të gjithë banorët që kanë rrënjët e origjinës së tyre në këtë vend, që janë larguar në qytete të tjera të vendit për një jetë më të mirë.
Nga Librazhdi fshati i Qarrishtës është rreth 30 kilometra. Menjëherë, pasi lëmë pas qytetin në drejtim të verilindjes, ecim përmes një rruge që gjarpëron mes një peizazhi mahnitës me pyje të dendura të “Parkut Kombëtarë Shebenik-Jabllanicë”. Ndërsa pemët e larta e bimësia të mahnit me bukurinë e saj. Shpate malesh, mbushur me dushqe e pisha të buta, ahe dhe lisa hijerëndë, burimet ujore që rrjedhin pa pushim na shoqërojnë për më shumë se dy orë udhëtimi, por që në fakt pothuajse nuk ndjehet fare… Dhe ja, pas një kthese të fortë, përtej një lugine të pamatë shfaqen si të pikturuara në një reliev malor shtëpitë e para të fshatit Qarrishtë.
Është fshati i fundit në kufi me Maqedoninë, i cili shtrihet nga të dyja anët e luginës të cilat i ndan në mes si me thikë lumi i Qarrishtës, që tani në verë është gati si një përrua, por në dimër ai “tërbohet”, bëhet i pakalueshem, madje edhe shumë i rrezikshëm për ata që marrin guximin ta kalojnë. Në pjesën veriore të luginës shfaqen shkëmbijtë gëlqerorë dhe në pjesën jugore shkëmbijtë e zinj të malit të Shebenikut.
Ndryshe nga ditët e tjera fshati kishte një gjallëri të madhe. Të rinj dhe të reja, të moshuar dhe fëmijë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, madje edhe nga jashtë atdheut, ishin mbledhur në vendin e origjinës së tyre për të festuar festën e fshatit, një festë që tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme.
I pranishëm në këtë festë ishte dhe kryetari i bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, i cili falenderoi të gjithë banorët e këtij fshati për organizimin e kësaj feste, e cila i mban ato të lidhur ngushtë me vendlindjen e tyre. Ai i premtoi banorëve se duke filluar që nga viti tjetër, kjo festë do të ketë një organizim edhe më të mirë, duke shtuar numrin e pjesëmarrësve dhe të aktiviteteve për ta bërë këtë një festë sa më atraktive, ku gjithë brezat takohen me njëri-tjetrin në tokën që i ka lindur. “Që ditën kur jam bërë kryetar bashkie e kam konsideruar Qarrishtën një nga resurset më të mëdhaja, jo vetëm turistike, por edhe ekonomike që bashkia Librazhd ka. E kemi nisur me ndërtimin e urës që lidh fshatin, rruga ka ardhur gjithmonë duke u përmirësuar dhe besoj që nuk ka qenë kurrë më mirë se sot, por edhe kjo është e pa mjaftueshme. Ne do të vazhdjmë të investojmë në të ardhmen edhe në infrastrukturë”, -përfundoi Gurra
Fshati Qarrishtë është një zonë me vlera te larta të biodiversitetit, ku bimësia shfaqet e larmishme dhe e shumë llojshme kudo. Natyra magjepëse i ka dhuruar këtij fshati një pamje vërtetë përrallore. Në Qarrishtë gjen të kombinuara në harmoni të plotë me njëra-tjetrën shumëllojshmërinë e bimësisë me vendburimet ujore të kulluara dhe të freskëta, me male të larta dhe të thepisur, ku gjurmë të dëborës qëndrojnë edhe në muajt e nxehtë të verës, resurse këto të cilat e bëjnë atë një fshat turistik malor.
Janë pikërisht këto resurse dhe kjo pasuri e rrallë natyrore që e kanë bërë këtë zonë të shpallet “Parku Kombetar i Shebenikut”.
Banoret e këtij fshati e kanë lidhur veprimtarinë e tyre me tokat bujqësore mjaf pjellore, pyjet e pafundme dhe të dendur, prodhimet blektorale, kultivimi i bimëve mjeksore, si dhe kullotat alpine. Edhe kultivimi i bletëve është mjaft i përhapur në Qarrishtë. Gjatë qendrimit tonë në fshat takuam Femi Biçakun, i cili edhe pse jeton prej vitesh në Durrës me familjen e tij, ai nuk e ka shkëputur lidhjen me vendlindjen. Ai ka rreth 20 koshere me bletë, të cilat në stinën e verës i sjell në Qarrishtë, për të mbledhur nektarin e livadheve dhe lëndinave të pafundme.
Ai na tregon me mjaft pasion punën e palodhur që bën për të mbajtur bletët. Ai qendron pothuajse gjatë gjithë stinës së verës në fshat dhe për këtë ndihet i lumtur. “Rritja dhe kultivimi i bletëve nuk është e lehtë, por unë e bëj me shumë kënaqësi dhe pasion, sepse mjalti është një produkt jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe përmban mjaft vitamina, të cilat janë të nevojshme për organizmin e njeriut. Mjalti, jo vetëm që përdoret për ushqim, por përdoret edhe në mjeksi për kurimin e disa sëmundjeve të ndryshme” – shprehet Fehmiu.
Qarrishta vend nderimi edhe për hebrejtë e shpëtuar nga Nazizmi
Me rastin e festës nën emrin, “Qarrishta Toka e Besës Shqiptare”, fshati përkujton edhe një ngjarje, e cila ja shton edhe më shumë vlerat kësaj zone , strehimin e 26 hebrejve.
Në shtator të vitit 1943. Dimri ishte tepër i ashpër, sidomos në këtë zonë të largët malore dhe binte shumë dëborë”. Për javë të tëra 26 hebrenjtë u strehuan në dhomat e shtëpisë së Biçakajve, duke fjetur bashkë në ato pak dhoma dhe duke ngrënë ato pak gjëra që kishte familja; kryesisht bukë misri, gjizë dhe pastërma. “Por miqtë ishin në besë. Zakoni, tradita e mikpritja e ka mikun të shenjtë dhe ata nuk mund të dorëzoheshin në çfarëdo rrethane që të ishin”, – rrëfen Jakup Biçaku, i cili në këtë ditë bashkë me familjen e tij ka udhëtuar nga qyteti i Durrësit për të festuar me të afërmit e tij në vendin e origjinës, ku ka kaluar një pjesë të madhe të jetës së tij. Mes nostalgjisë së vuajtjeve që ka jetuar në atë fshat ai na tregon gjithashtu se hebrejtë nuk pranonin të rrinin dot pa punuar, megjithëse miku sado gjatë që të qëndrojë mbetet mysafir dhe në bazë të kodit zakonor nuk duhet kurrsesi të punojë. Pas çlirimit dhe pas gati dy vjetësh qëndrimi në fshehtësi, 26 hebrenjtë mund të lëviznin dhe të iknin nga Qarrishta e largët. Ndarja nuk ishte aspak e lehtë, madje e dhimbshme, pasi të gjithë ishin mësuar me ato.
E pasi lëmë pas këtë fshat piktoresk, me bukuri të rralla natyrore merr fund dhe rrugëtimi jonë në këtë vend, i cili do të mbetet gjatë në mëndjet tona me pikturat e gjalla të natyrës që na bën të besojmë se Shqipëria është më e bukur dhe e madhe nga sa ne e kemi njohur deri më sot.