Në takimin e zhvilluar me gra e vajza të qytetin të Elbasanit bashkë me Kryeministrin Rama dhe kandidatët e tjerë për deputetë të Qarkut Elbasan, Znj. Evis Kushi në fjalën e saj përshëndetëse ka nënvizuar fillimisht se në skuadrën e PS ka një përfaqësim shumë të mirë të grave e vajzave.
“Por ajo që na bashkon më shumë se çdo gjë tjetër është dashuria për Elbasanin. Për ta parë më të zhvilluar, me më shumë investime, më të begatë, me më shumë projekte. Dhe këtë nuk mund ta bëjnë ata që e shajnë çdo ditë, ata që e njollosin padrejtësisht tashmë prej shumë vitesh. Ata që e dinë shumë mirë që duke prishur imazhin e Elbasanit mund të rrezikojnë largimin e investitorëve apo të turistëve. Ndërkohë, që Elbasani është e ardhmja jonë. Dhe ne, me Partinë Socialiste dhe me Edi Ramën punojmë çdo ditë për Elbasanin e së ardhmes” – ka nënvizuar Znj. Kushi.
Kushi është ndalur tek disa prej projekteve të realizuara në Elbasan:
“Në këto vite kemi realizuar shumë projekte të mëdha, kemi ndërtuar këtë stadium, kemi ndërtuar impiantin e përpunimit të mbetjeve, kemi punuar shumë për arsimin, duke rikonstruktuar 33 shkolla dhe duke ndërtuar 10 objekte të reja arsimore. Kemi punuar shumë për shëndetësinë, duke rehabilituar spitalin rajonal, me standardet më të mira. Po kështu kemi punuar për infrastrukturën. Për bujqësinë, me autostradën e re bujqësore Bujqës-Jagodinë, e cila ka filluar t’i japë rezultatet dhe frytet e veta për fermerët” – tha Znj. Kushi duke nënvizuar se pas 25 Prillit, do të fillojnë edhe projektet e reja si rivitalizimi i kalasë, bypass-i i Elbasanit, “Lungo Fiume” e plot projekte të tjera infrastrukturore.
Ndër të tjera, Znj. Kushi cilësoi se mandatin e ardhshëm do të bëhet akoma më shumë për të mbështetur gratë dhe vajzat. “Ashtu siç kemi arritur barazi të plotë gjinore në qeveri, në këshillat bashkiakë, e në shumë institucione të administratës publike, ne do ta shtrijmë këtë në të gjitha nivelet. Për më shumë fuqizim ekonomik, për më shumë punësim dhe më shumë mbështetje sociale për gratë dhe vajzat. Por, për këtë na duhet mbështetja juaj për PS dhe Edi Ramën”./javanews