Ndërkohë që mazhoranca prej tre muajsh ka marrë një iniciativë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, sot në zyrën e këtij të fundit ka shkuar Taulant Balla.
Kryetari i grupit parlamentar socialist ishte ftuar nga Presidenca për të marrë pjesë në ceremoninë e dekorimit të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimitare.
“Sot në Institucionin e Presidentit të Republikës u zhvillua ceremonia e dekorimit të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.
Si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe Kryetar i Grupit Parlamentar Socialist, unë ndjehem krenar që, në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit, prej shumë muajsh i propozova Institucionit të Presidentit që Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare t’i jepet urdhri “Nderi i Kombit”, për kontributin që ka dhënë në mbrojtjen, përhapjen dhe edukimin te brezat e rinj të idealeve e vlerave antifashiste, përpjekjeve e sakrificave të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore.
Nëse sot jemi krenarë që Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore u vendos në anën e antifashistëve, fitimtarëve, dhe frontit të madh të lirisë, kjo është meritë e partizanëve shqiptarë, këtyre kalorësve të çlirimit dhe të lirisë.
Shqipëria jonë e vogël u bë një aleate e madhe e koalicionit antifashist. E madhe për nga çmimi i jashtëzakonshëm i gjakut që pagoi dhe sakrificave të panumërta njerëzore.
Nderimi i këtyre sakrificave është në dinjitetin e çdo gjenerate shqiptarësh. Prandaj nderimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, i dëshmorëve dhe heronjve të lavdishëm të kësaj Lufte, nderimi i çdo faqeje të kësaj lufte dhe i vetë datës së çlirimit të vendit tonë, në 29 nëntor 1944, është nderi i çdo shqiptari.
Ka patur gjithmonë përpjekje në këto 28 vite për të hedhur baltë ndaj Luftës Antifashiste, ndaj dëshmorëve.
Sakrifica e mijëra djemve dhe vajzave të Shqipërisë që ranë me një idealizëm të pashoq në luftën për çlirim nuk mund të mohohet, e padyshim meriton më tepër. Meriton shumë më tepër sesa fjalët, edhe sesa përveç fjalëve është mundur të bëhet e tregohet gjithë këto vite. Nuk duhet dhe nuk mund të ngatërrohet epopeja e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare me atë që pasoi pas vitit1945.
Lavdi përjetë dëshmorëve dhe heronjve që dhanë jetën për çlirimin dhe mbrojtjen e Atdheut! ????”- shkoi Balla.