Projekti i Kalasë së Elbasanit hyn në një fazë tjetër/ Fabrikë e re e zhvillimit ekonomik me flukse të turistëve

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “Kalaja e Elbasanit do të kthehet në një fabrikë të re të zhvillimit ekonomik që do të ndikojë drejtpërdrejtë në jetën e banorëve të saj, të pronarëve të shtëpive, por edhe drejtpërdrejtë ekonominë këtu dhe të vendit në tërësi”. Ndërsa prezantoi skuadrën e PS-së në Elbasan, Rama tha se “të gjitha ato çka janë bërë, janë për t’u vazhduar, nuk janë punë të përfunduara”.

“Ҫuarja në një nivel tjetër e Elbasanit dhe e vendit, në tërësi, lidhet me përfundimin e të gjithë punëve të nisura, në sensin e gjithë zinxhirit të investimeve që ne kemi kryer dhe që ne kemi në plan të kryejmë”, tha Rama.

Ai theksoi se “qyteti Elbasanit ka një potencial të jashtëzakonshëm, që është Kalaja”. “Tani është radha e Kalasë, sepse nuk mund të hynim brenda dhe të bënim projektin e Kalasë me infrastrukturën që kishim në Elbasan, që ishte një qamet i madh deri kur ne erdhëm në qeveri dhe bashkuam forcat me Bashkinë e Elbasanit dhe ia dolëm të nxjerrim nga llumi qytetin ku nuk kishte një rrugë pa gropa, nuk kishte një kanalizim normal e ku sundonte reja e tymit që prodhonin plehrat në mes të qytetit, një kodër e madhe. Çfarë Kalaje do rijetëzonim e do nxirrnim në dritë dhe kush do vinte në Elbasan për të kaluar fundjavën apo më shumë sesa fundjavën, duke shijuar gjithë natyrën përreth, në ato kushte?!”, tha Rama.

Tani, theksoi ai, “janë krijuar kushtet që ne të hyjmë në fazën tjetër me projektin e Kalasë”.

“Me gjithë dashurinë e madhe që unë kam për ato pika që tanimë janë transformuar në pika referimi të turizmit si pazari i vjetër i Korçës, qendra historike e Vlorës apo si vetë Berati, Gjirokastra e të tjera, unë e them me plot gojën që Kalaja e Elbasanit, për nga potenciali, është e pakrahasueshme sepse ka një ndërthurje historie, në aspektin e trashëgimisë kulturore, monumenteve dhe të historisë së vendit tonë”, tha Rama.

Ai theksoi se “ka shumë adresa dhe shumë destinacione brenda Kalasë, e cila mund e do të kthehet në një fabrikë të re të zhvillimit ekonomik që do të ndikojë drejtpërdrejtë jetën e banorëve të saj, të pronarëve të shtëpive, por edhe drejtpërdrejtë ekonominë këtu dhe të vendit, në tërësi. Jam i bindur për këtë”.

Në këtë drejtim, Rama tha se “Kalaja do të sjellë flukse turistësh të paimagjinueshme për Elbasanin deri para disa vitesh, siç i kanë sjellë këto ndërhyrje Korçës, Beratit, Gjirokastrës, Vlorës, deri Pukës, një qytezë e harruar dhe e braktisur tërësisht, nga ku njerëzit vetëm iknin e që sot, edhe në kushtet e pandemisë, sheh një numër vizitorësh që as nuk e ka imagjinuar në ditën e vet më entuziaste”.

Përtej kësaj, vijoi ai, “Elbasani është një territor destinacionesh që krijojnë një hartë eksplorimi më shumë sesa një dhe dy ditë, me Belshin, me gjithë zonën lart në Përrenjas e Librazhd ku natyra është fantastike dhe ku vetëm sa kemi filluar ta prekim, me padiskutim pjesën e Cërrikut”.