Presidenti i Komitetit Olimpik, z. Fidel Ylli në vijim të turit në bashkitë e vendit, është ndalur në qarkun e Elbasanit, ku edhe ka zhvilluar një takim me kryetarët e Bashkive të qarkut Elbasan me trajnerët, mësuesit e edukimit fizik me qëllim prezantimin e projektit “Ekipet Sportive 2022”.
“Komiteti Olimpik, Federata e Volejbollit dhe Basketbollit janë bashkë që ky projekt të eci në bashkitë e qarkut të Elbasanit. Sepse bashkitë janë ato që kanë kushtet, në këtë rast palestrat, si edhe trajnerët”, tha kreu i KOKSH-it. Ndër të tjera ai e vuri theksin tek projekti duke pohuar se “nuk do të jetë thjesht një program për masivizimin e sportit. Ne kemi një federatë të sportit shkollor, kemi edhe një federatë të sportit universitar, por kjo nuk ka të bëjë thjesht me zhvillimin dhe masivizimin për lojën në një shkollë apo kampionatin në një shkollë. Ky program ka të bëjë për t’u fokusuar te profesionalizmi i sportit, që do të thotë do të zgjidhen fëmijët më të mirë dhe do të krijohet ekipi i basketbollit dhe i volejbollit të shkollës 9-vjeçare, të mesme apo të lartë, me trajnerë profesionistë që do të paguhen.
Kreu i KOKSH-it i bëri thirrje kryetarve të Bashkive të Qarkut të Elbasanit që të përfshijnë në këtë projekt ambicioz trajnerët dhe specialistët e futbollit “t’i trajnojmë me standartet më të mira europiane. Kështu do të bashkëpunojmë që jeta e rinisë të jetë aktive të largohen nga veset e këqija dhe telefoni. Qeveria do të jetë e gatshme të hartojë projekte për Bashkitë, të gjitha të ardhurat e basteve do të investohen për palestra, këto janë politikat që ne duhet të bëjmë, të masivizojmë sportin, që rinia të ketë cilësi jete. Nëse ky bashkëpunim do të ecë, ne do të fusim në projekt edhe futbollin, dhe do të arrijmë që ta fusim sportin në shkolla me detyrim, këto janë politikat që ne duhet të bëjmë. Në bashkëpunim edhe me Save dhe Children, ne duam të angazhojmë edhe fëmijët në sport, ku këtu përfshihet edhe konsumimi i ushqimit, me qëllim që këta fëmijë të bëhen profesionistë të ardhshëm. Ne duam të bëjmë një gjë publike, me qëllim që ky projekt të marrë hov, paratë i kemi ne, dhe ne do të gjallërojmë lëvizjen olimpike në vendin tonë. Të nisim këtë ndryshim për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ky projekt do të bëjë të mundur edhe rritjen e infrastrukturës në vendin tonë”, deklaroi Fidel Ylli, i cili bëri të ditur se ky program do të zhvillohet jashtë orëve të mësimit.
I pranishëm në panel, fjalën e ka marrë edhe kryetari i bashkisë së Elbasanit z. Gledian Llatja, i cili që në nisje të fjalës, përshëndeti projektin e ndërmarrë nga Komiteti Olimpik Shqiptar, duke pohuar se “si kryetar bashkie jam përpjekur maksimalisht të ndihmoj sportin, me qëllim që të mbajmë fëmijët tanë larg veseve, të mbajmë terrenet sportive, si dhe të rikonstruktojmë palestrat. Risi për ne, ishte ngritja e një Akademie Moderne Futbolli ëer Elbasanin “AF Elbasani”. Këtë vit ne nisim rikonstruksionin e katër palestrave të reja, 2 palestrat në shkollën “Luigj Gurakuqi”, palestrën në gjimnazin “Kostandin Kristoforidhi” si edhe palestrën në shkollën “Onufri”. Sakaq kemi përfunduar rikonstruksionin total të palestrave të shkollave 9 – vjeçare Bardhyl Popa dhe Jorgji Dilo, kemi investuar dhe përfunduar terrenin e hapur Sportiv në gjimnazin Dhaskal Todri. Në sinkron me këto investime vetëm në sport, kemi kryer rikonstruksionin komplet të Kompleksit Sportiv “Shefqet Lamçja”, si edhe rikonstruksioni i Pallatit të Sportit “Tomor Sinani”. Prandaj i kemi mirëpritur gjithmonë këto projekte pasi janë të domosdoshme, pasi ne si Bashki kemi ecur përpara edhe me përzgjedhjen e trajnerëve si edhe me nxënësit”, tha Llatja. Sipas tij, këtij projekti do ti bashkohen 680 fëmijë të klasave sportive, qyteti i Elbasanit ka 17 trajnerë volejboll dhe basketboll. Secili trajner do të ketë 2 ekipe, 1 ekip djemsh dhe 1 ekip vajzash që do të stërviten në 9 palestrat e shkollave te qytetit 3 here në javë nga 1 orë e 30 minuta. Vetëm qyteti ka 17 trajnerë, 9 palestra bashkë me pallatin e Sportit. Bashkia ka vënë në dispozicion të gjitha ambientet e saj: terrenet sportive, palestrat e shkollave dhe Pallatin e Sportit.
Kryetari i Bashkisë i kërkoi të pranishmëve në panel që “të gjithë bashkë të bëjmë për fëmijët tanë, për qytetet tona, një gjë nuk duhet ta harrojmë, që fëmijët janë e ardhmja, dhe e ardhmja nuk vjen pa shëndet fizik, nuk ka shëndet mendor pa shëndet fizik. Duhet të punojmë të gjithë bashkë për shëndetin e fëmijëve tonë. Unë si kryetar i bashkisë kam aplikuar në shumë projekte në BE dhe kjo sallë që ne jemi mbledhur sot është një projekt i aplikuar nga ne. Ti japësh mundësi të barabarta çdo fëmije është gjëja më e mirë që ne e bëjmë, mos diferencojmë fëmijët tanë, kjo është gjëja më e mirë që ne po bëjmë në bashkinë tonë. Ne kemi një ekip shumë të mirë, ne kemi nisur të ndryshojmë qasjet tona për infrastrukturën, dhe kemi projekte të tjera në vazhdim për të investuar në infrastrukturë, ne përmirësojmë infrastrukturën ju si komitet të na ofroni kushtet”, përfundoi kryebashkiaku Gledian Llatja.