Problemet me të folurin tek fëmijët, shtohet numri i rasteve në Elbasan.

Problemet dhe vonesat në të folur te fëmijët ka ngritur alarmin në Elbasan. Mjekët logopedë thonë se numri i atyre që kanë nevojë për kujdes të dedikuar, po rritet ditë pas dite.

“Tek mua si specialist i çrregullimeve të gjuhës dhe komunikimit paraqiten rreth 20 raste, por kjo shifër është akoma më e lartë në rang qyteti”, tha mjeku logoped, Ardit Bërdufi.

Faktorët gjenetik, por edhe qëndrimi me orë të gjata në pajisjet teknologjike janë shkaqet kryesore që fëmijët e sotëm shfaqin probleme në të folur.

“Realisht unë do ta filloja nga faktori gjenetik, ku shumica e fëmijëve me çrregullime të gjuhës dhe të komunikimit ka një histori familjare. “Por një nga faktorët që shikohet kohët e fundit që ka një ndikim shumë të madh është përdorimi i paisjeve elektonike. Të cilat kanë sjellë një frenim në të folur, një frenim të imagjinatës dhe kreativitetit gjuhësor të këtyre fëmijëve”, tha mjeku logoped, Ardit Bërdufi.

Mjeku logopet, thekson për Euronews Albania se kur duhet të shqetësohen prindërit, për të folurën tek fëmija tyre.

“Viti i parë i jetës është shumë i rëndësishëm, 12 muaj e parë janë thelbësor për zhvillimin e gjuhës dhe të komunikimit. Truri i fëmijës është i pastimuluar dhe pret që të mbushet me informacionet e nevojshme”, tha mjeku logoped, Ardit Bërdufi.

“Në rreth 12 muaj ose 13 muaj e parë fëmija duhet të flasë fjalën e parë, kur kjo vonon ateher është një paralajmërim dhe prindërit duhet të paraqiten tek një specialit i gjuhës dhe komunikimit”, tha mjeku logoped, Ardit Bërdufi.

Mjekët këshillojnë prindërit që të angazhohen më tepër me fëmijët e tyre, t’i mbajnë larg pajisjeve teknologjike si dhe t`i përfshijnë ata më shumë në aktivitete fizike.