Prej ditësh mungon vaksina Kineze në Elbasan. Të moshuarit nuk po kryejnë dot dozën e dytë.

Prej ditësh, në rrethe të ndryshme të vendit ashtu si në Elbasan ka pasur mungesa të dozës së dytë të vaksinave. Qytetarët janë paraqitur për t’u vaksinuar por më pas janë informuar se nuk kishte doza të vaksinave. Një situatë e ngjashme ka ndodhur në Qendrën Rajonale Shëndetësore të Elbasanit, ku qytetarët janë paraqitur për të marrë dozën e dytë të vaksinës por kanë parë se procesi i vaksinimit nuk ka vijuar.

Ata u shprehën të revoltuar pasi mendojnë se duke qenë se u ka kaluar afati i bërjes së dozës së dytë të vaksinës atëherë nuk do të ketë më efekt dhe duhet të bëhet nga e para. Qytetarët thanë se askush nuk u jepte përgjigjie në lidhje me mungesën e këtyre dozave.

Akoma nuk ka një informacion nga institucionet shëndetësore, nëse vonesa e dozës së dytë do të sjellë probleme për të moshuarit apo dozat duhen kryer sërish nga e para. Për këtë arsye shumë prej atyre që janë në pritje të dozës së dytë janë në ankth për mënyrës së si do të vijojë më tej procesi dhe presin me padurim një përgjigje ezauruese.