Prej 5 muajsh e infektuar me covid-19, historia e pazakontë e gruas që vazhdon të qendrojë në karantinë

Nada Cava, një 49-vjeçare me San Giovanni di Colonnella të Italisë ka kaluar 170 ditë në karantinë. Për 5 muaj rresht, 19 tamponë të kryer rezultojnë pozitivë për Cava-n. “Nuk ndjehem mirë dhe tani jam dhe shumë e nervozuar. Shpresoj që të marri fund një herë e mirë ky ankth. Tani do të më çojnë në spitalin Covid në Pescara dhe do të më thonë nëse jam e përshtatshme për kurën me plazma. Kam qenë atje dhe javën e shkuar. Isha plot besim, shpresoja se do të më nisnin terapinë, por më mbajtën vetëm një ditë për vizita dhe analiza. Shpesh mendoj sikur të kishte qenë vetëm një ëndërr e keqe, nga e cila do të zgjohem, por për fat të keq nuk është ashtu”, u shpreh 49-vjeçarja për ‘Messangero’.

Si pasojë e infektimit, Cava ka humbur punën si arkëtare në një market. Covid-19 gjithashtu ka bërë që 49-vjeçarja të mungojë në funeralin e së ëmës dhe në martesën e së bijës. Gjithçka ka nisur më 13 mars, kur Cava mësoi se ishte e infektuar me koronavirus. Që nga ai moment, 49-vjeçarja nuk ka gjetur qetësi. Ajo gjithashtu ka treguar se gjatë kësaj kohe ka gjetur një punë, por e ka të pamundur të shkojë si pasojë e testeve pozitive të Covid-19.

Burimi: Opinion.al