Në kuadër të sezonit turistik në Elbasan policia ka marrë masat për mbrojtjen dhe shmangien e aksidenteve për shkak të shtimit të lëvizjeve.
Specialisti i policisë Rrugore në qarkun e Elbasanit ka bërë apel drejtuesve të makinave që të bëjnë kujdes gjatë lëvizjes dhe që të zbatojnë e respektojnë rregullat e qarkullimit.
“Jemi para sezonit turistik dhe shërbimet e policisë Rrugore në Elbasan kanë në monitorim kryesisht pjesën që vjen nga Pogradeci që vjen në Elbasan, dhe aksin që të çon nga Elbasani për në Peqin. Jemi në gatishmëri 24 orë duke i monitoruar këto akse jo vetëm me patrulla rrugore.
Ajo që vlen të theksohet se bëhen kontrolle të herë pas hershme për shkak të përdorimit të alkoolit në timon. Këshilla kryesore ndaj drejtuesve është respektimi i rregullave rrugore, respektimi i sigurisë rrugore. Drejtuesit e mjeteve duhet të kenë parasysh respektimin e tabelave sinjalistike, mos perdorimin e telefonit dhe sidomos për përdorimin e alkoolit”, ka thënë ai. /abcnews