“Plumbi i Artë”, policia aksion në Elbasan, kontrolle në banesa e biznese

Dhjetëra shtëpi dhe biznese janë duke u kontrolluar në qytetin e Elbasanit, për të kapur personat e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”. Blutë e Elbasanit, të mbështetur dhe nga shërbimet e tjera, janë duke kërkuar të arratisurit e operacionit të datës 19 maj.

Nga dëshmitë e Nuredin Dumanit, u zbuluan një sërë vrasjesh, pagesat për to, porositësit dhe vrasje të tjera të planifikuara për shuma që i kalonin 500 mijë euro, por që kanë mbetur në tentativë.

Deri tani nuk dihet nëse është shoqëruar ndonjë nga personat e shpallur në kërkim nga SPAK, por operacioni vijon dhe aktualisht dhe është angazhuar një numër i madh efektivësh policie. Në arrati janë disa nga personat e konsideruar si “koka” të krimit.

Dy ditë më parë Forcat Speciale kanë kryer kontrolle në tre qarqe të tjera të vendit. Biznese dhe shtëpi në zonën e qytetit bregdetar të Durrësit, në Korçë dhe në Fier janë bastisur nga Policia, por deri tani nuk ka asnjë rezultat publik./newsbomb