Plehrat po shkatërrojnë lumin Shkumbin, specialistët japin alarmin

Shkumbini nis në malin e Valamares në afërsi të Pogradecit dhe pasi përshkon një luginë 181 km të gjatë, përfundon në detin Adriatik me grykëderdhje në një nga plazhet më të bukur të vendit, Plazhin e Vilë-Bashtovës, por në rrjedhën e tij merr me vete mbeturina në masë.

“Lumi Shkumbin është një nga lumenjtë më të ndotur në vend dhe shkak kryesor i kësaj  janë shkarkimet e ujërave të zeza. Dhe mbeturinat e hedhura vend e pa vend. Gjendja paraqitet mjaft e rëndë për shkak se ujërat e lumit Shkumbin përdoren edhe për vaditjen e tokave bujqësore.”- thotë ambientalisti Ahmet Mehmeti.

Dhe në kushtet kur Shkumbini cilësohet si një lumë i sëmurë, te pretendosh për të shijuar bukuritë e tij, është një luks i madh. Hedhja e plehrave pa kriter në shtatin e lumit ka bërë që specialistët të japin alarmin për nivelin e lartë të ndotjes.

Në lumin Shkumbin ndotja është në nivele shkatërruese. Për këtë arsye, specialistët ngrenë shqetësimin për pastrimin dhe mbrojtjen e tij.

“Lumi sëmurë dhe për këtë e pëson dhe vet flora dhe fauna e lumit. Peshqit dhe gjallesat e tjera. Dhe duke u ndotur toka me ujërat e zeza, shkatërrohet dhe jeta e njeriut.”- shton ai.

Në pak kilometra të rrjedhës së lumit nuk është e vështirë të dallosh grumbujt e mbeturinave buze lumit, si dhe në përrenjtë që derdhen në Shkumbin, ndërkohë shqetësues për ndotjen e mëtejshme është ngritja e impianteve djegëse ose përpunuese, si dhe zbatimi i ligjit.