Inceneratori i Elbasanit nuk punon prej gati një viti, kjo ka bërë që mbetjet urbane të 8 bashkive të vijojnë të grumbullohen në landfill, pa pasur mundësinë e trajtimit dhe më pas djegies në incenerator siç ishte parashikuar.
Por herë herë mbetjet në landfill janë përfshirë nga flakët duke shkaktuar ndotje në mjedis.
“Na kanë ndodhur dy zjarre këtë vit. Në gjykimin tonë nuk janë zjarrvënie të qëllimshme. Zjarri shkaktohet nga gazrat që çlirohen nga mbetjet. Çështja e landfillit aktualisht është pak problematike. Landfilli i ka kaluar kapacitetet e veta. Aktualisht prej gati një viti inceneratori nuk punon. Në vitin 2023 ka punuar 7 muaj. Aktualisht nuk punon për shkak të disa defekteve”, tha Leli Kaja, drejtor i shoqërisë ECO ALB.
Sipas shoqërisë ECO ALB, kushtet ligjore të një prone të sekuestruar, të marrë me qira e bëjnë të pamundur investimin, që gjithsesi kap vlerën e rreth 3-4 miliardë lekë, e papërballueshme nga fondet e kompanisë apo të bashkive.
“Ne e kemi të pamundur të investojmë për të riparuar apo mirëmbajtur inceneratorin. S’e bëjmë dot as ne, as bashkitë. Vlera aktuale e defektit dhe remontit shkon 3-4 miliardë lekë të vjetra. Aktualisht ne jemi qiramarrës dhe nuk kemi mundësi të investojmë edhe nëse do të kishim mundësi”, tha Leli Kaja, drejtor i shoqërisë ECO ALB.
Në të tillë situatë shoqëria ECO ALB kërkon ndihmën e shtetit për t’i krijuar mundësi zgjerimit të kapaciteteve të landfillit i cili aktualisht është tej kapaciteteve. Në landifillin pranë inceneratorit të Elbasanit çdo ditë grumbullohen 150-160 ton.
Departamenti i Informacionit, më i madhi, më kryesori në Top Channel, i cili shënoi fillimin e televizionit me edicionin e lajmeve në 20 dhjetor 2001. Përmes informacioneve të shpejta, të sakta dhe të thelluara, reportazheve dhe rubrikave të tjera informative, Top Channel është kthyer në burimin kryesor dhe me prestigjioz të informimit të të gjithëve në Shqipëri, në hapësirën mbarëshqiptare dhe kudo tjetër në botë ku shqiptarët jetojnë. Top Channel është i pranishëm me kamerat dhe gazetarët e tij në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të vendit dhe në botë, me edicionet e tij informative./tch