Pas tentativës për grabitje me armë në Lushnje ditën e djeshme, është arrestuar 66-vjeçari Bukurosh Mukja. Ai bashkë me 2 të tjerë, Renato Çala e Florenc Tatoshi të cilët mbeten në kërkim kishin planifikuar vjedhje me armë në Lushnjë.
Të tre kur janë lokalizuar nga punonjësit e Policisë, nuk i janë bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, por janë larguar me shpejtësi me një automjet tip “Benz” me targa të falsifikuara, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion.
66-vjecari që po drejtonte automjetin u kap në lagjen ‘Kala’ të qytetit Elbasan pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Parandalimi”, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.
Vijon puna intensive për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 2 autorëve të tjerë të shpallur në kërkim.