Plani Kombëtar i Pastrimit, Rama: Mbresëlënëse rezultatet e një viti. Në Elbasan 4550 njerëz të angazhuar për mbajtjen pastër të mjedisit

Kryeministri Rama me anë të një postimi në Facebook ka falënderuar punonjësit dhe vullnetarët për punën kolosale për Planin Kombëtar të Pastrimit.

Rama ka publikuar në Facebook disa shifra ku duken rezultatet e një viti në disa qarqe të vendit.

 “Mbresëlënëse rezultatet e një viti të Planit Kombëtar të Pastrimit, luftë e mirëfilltë me mbetjet në territor, të trashëguara prej dekadash.

 Mirënjohje për të gjithë punonjësit dhe vullnetarët që na u bashkuan përgjatë këtyre 12 muajve në gjithë qarqet e vendit, ku puna sigurisht do të vijojë përmes një grafiku të mirëpërcaktuar edhe në dhjetor dhe gjatë gjithë vitit të ardhshëm.

*Të dhëna nga pastrimi në qarqet Elbasan, Shkodër dhe Berat”.

 Siç duket edhe nga fotot, në qarkun e Elbasanit janë angazhuar 4550 punonjës dhe vullnetarë për të pastruar mjedisin që na rrethon. Sipas kryebashkiakut Gledian LLatja, puna për pastrimin e qytetit nuk do të ndalet, por do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Llatja u kërkon qytetarëve që të bashkohen në misionin për të mbajtur pastër ambientin.

Bashkia e Elbasanit pak kohë më parë ka ndërmarrë një nismë, e cila konsiston në ndërgjegjësimin e brezit të ri, për menaxhimin sa më të mirë të mjedisit në territorin e qytetit të Elbasanit.

Nën moton “Mjedisi, vazhdimësia e jetës për një mjedis të shëndetshëm në kuadër të inisiativave lokale”, ky projekt i cili ka dy muaj që ka nisur, konsiston në angazhimin e të rinjve të 18 shkollave 9-vjeçare si edhe 8 shkolla të mesme për mbajtjen pastër të mjedisit, pastrim, dhe mbjellje të reja.