Ura e ‘Gurit’ e cila ndodhet mbi lumin e Gostimës në fshatin Polis, të Librazhdit është shembur.
Ky atraksion turistik me vlerë të madhe historike, me origjinë ilire, pjesë e rrugës së Egnatias, e restauruar nga turqit rreth vitit 1750 shek 18-të, kishte degraduar për shkak të mosmirëmbajtjes. Ura u shemb, pas vërshimit të ujërave në lumin e Gostimës.
Kjo urë ishte e rëndësishme, jo vetëm se mbart histori, por lidhte disa fshatra të njësisë administrative Polisit, si Polis Sheh, Polis Qendër, Fushë Buall dhe Shushicë.
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në një postim në Facebook, thotë se shembja e urës ishte paralajmëruar, për shkak të indiferencës së institucioneve ndaj trashëgimisë.
‘Nga dje, urën e Gostimës nuk e kemi më! Indiferenca titanike e qeverisë ndaj trashëgimisë dhe politika e devijuar e MK, ndaj mirëmbajtjes rutinë të monumenteve, pjell vazhdimisht këtë fatalitet. Edhe kjo, kronike e nje ngjarjeje te paralajmeruar. “Çdo vit, nje ure”.’- shkruan Forumi i Trashëgimisë Kulturore në Facebook.