Përcaktohen rregullat për votimin dhe numërimin elektronik në bashkitë Elbasan, Kamzë dhe Vorë

Komisioni Rregullator vendosi që në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, procesi i votimit dhe numërimit elektronik të zgjedhësve të kryhet nëpërmjet pajisjeve elektronike të votimit dhe numërimit të zgjedhësve (PEVN), në bashkitë Elbasan, Kamzë dhe Vorë.

Gjithashtu, Komisioni Rregullator miratoi rregullat procedurale për procesin e votimit dhe numërimit elektronik nëpërmjet pajisjes elektronike të votimit dhe numërimit (PEVN).

Vendimi përcakton procedurën e dorëzimit të PEVN-ve KQV-ve përkatëse, ku do të pilotohet votimi dhe numërimi elektronik, nga ana e KQZ-së, së bashku me kutitë shoqëruese, që mundësojnë votimin elektronik, procesverbalet dhe dokumentacionin e punës. Hapja e procesit të votimit nëpërmjet PEVN kryhet nga personeli teknik, i ngarkuar nga KQZ.

Në rastet kur transmetimi, për arsye teknike që lidhen me PEVN ose me modemin nuk ndodh, procesi i nxjerrjes së rezultateve do të kryhet manualisht.

Rezultati paraprak nxirret dhe publikohet, pasi është dërguar në KQZ.