‘Perandori’ brazilian, ja si ka ndryshuar jeta pas futbollit e legjendës së Interit

Pele, Ronaldinho, Ronaldo, Kaka, Roberto Carlos, Cafu… kjo listë vazhdon dhe vazhdon. Sidoqoftë, nuk ka shumë të tillë si Adriano. Në fillim të viteve 2000, ai e pa veten tek Interi dhe dukej i destinuar për madhështi. Sidoqoftë, vdekja e babait të tij më 2004 ndryshoi gjithçka.

Më pas luftoi me problemet e alkoolit, karriera e tij doli jashtë kontrollit. Braziliani u huazua te Sao Paulo në vendin e lindjes në një përpjekje për ta rikthyer karrierën e tij në rrugën e duhur. Por, përfundimisht doli në “pension” në maj 2016, duke dështuar të përmbushë potencialin e tij të jashtëzakonshëm.

Pas “varjes së këpucëve në gozhdë”, Adriano mund të mburret me 14 trofe të mëdhenj, duke përfshirë “Copa America” më 2004 dhe katër tituj të Serie A. “Perandori”, gjithashtu përfundoi dy herë në “top 7” e “Topit të Artë”.

Një karrierë fantastike, por mund të kishte qenë shumë më tepër e ndritshme. Në një artikull emocionues për “Players’ Tribune”, Adriano shpjegoi se si vdekja e babait, kur ishte vetëm 22 vjeç, i dha fund karrierës së tij.

“Pas asaj dite, dashuria ime për futbollin nuk ishte kurrë e njëjtë”, – shpjegoi Adriano për ditën kur mori atë telefonatë të tmerrshme, ndërsa ishte në Milano. – Babai e donte futbollin, ashtu si unë. Ky ishte fati im. Kur luaja futboll, luaja për familjen time. Kur shënoja, shënoja për familjen time.

Pra, kur babai im vdiq, futbolli nuk ishte kurrë i njëjti për mua. Isha matanë oqeanit në Itali, larg familjes sime dhe thjesht nuk mund ta përballoja atë dramë. U dëshpërova shumë, fillova të pi alkool. Nuk doja të stërvitesha. Nuk kishte asgjë të lidhur me Interin, unë thjesht doja të shkoja në shtëpi”.

Adriano tani është 39-vjeç dhe po bën një jetë krejt ndryshe. Sipas “The Sun”, së fundi shiti rezidencën e tij prej 1.2 milionë £ dhe të gjitha pasuritë, përveç trofeve të fituar në karrierë.

Kohët e fundit, u raportua se jetonte në suitën presidenciale të një hoteli luksoz në lagjen “Barra da Tijuca” të Rio de Janeiro, me dhomën që i kushtonte 10.383 £ në muaj. Thuhet gjithashtu se është i lidhur me dy femra njëherësh.

Sipas “FourFourTwo”, ai u pa duke hipur në një skuter në Rio, teksa shpërndante ushqime falas të “Big Mac” për fëmijët. I njëjti raport sugjeron gjithashtu se Adriano organizon ende festa të rastësishme, megjithëse janë shumë më të buta dhe më të rralla se dikur.

Së fundi, Adriano mësoi për futjen e tij në “Maracana Stadium Walk of Fame”. Imazhet e tij u bënë virale, teksa duke reagonte emocionalisht kur e mori vesh këtë nderim të madh, duke u renditur përkrah legjendave të tjera të futbollit brazilian.

“Duke u kthyer në Brazil hoqa dorë nga milionat, por fitova lumturinë”, – pati thënë më herët Adriano për “Star”. Ai mund të mos jetë bërë futbolli i jashtëzakonshëm që të gjithë e prisnin, por duket se po e shijon më së miri “pensionin” e tij.