Prej dy javësh 4 anëtarët e familjes Çerri në fshatin Bishqem në Peqin jetojnë në kushte ekstreme mbijetese. Ndërtesa tejet e amortizuar nuk i rezistoi tërmetit të fundit, duke bërë që të ndahet në dysh dhe të vërë në rrezik jetën e pjesëtarëve të saj.
Pasi ekipi e emergjencave e verifikoi dhe e shpalli të pabanueshme kjo familje fle në kotecin e pulave së bashku me prodhimet bujqësore. Fillimisht janë strehuar në një sere, por aty nuk i kanë lejuar emergjencat.
Ndaj kanë gjetur një zgjidhje tjetër, kasollen e pulave. I janë drejtuar për ndihmë pushtetit vendor, por deri më tani asgjë nuk është bërë. Gruaja e shtëpisë bën apel për ndihmë. Thirrja e saj është të paktën t’u dërgojnë një çadër, më pas si gjithë të tjerët, të trajtohen me mbështetje për të ndërtuar një strehë të re.
Lagështira, myku, era e rëndë e shpendëve dëshmojnë se tani këta njerëz po luftojnë për mbijetesë. Nuk e kishin imagjinuar kurrë se do të kalonin një situatë të tillë, por fatit asnjëherë nuk i dihet. Kryefamiljari lutet shumë që ndaj familjes së tij të mos vonojë ndihma.
Festat e fundvitit po afrojnë, por kjo familje as që e ka në plan të festojë, si shumë të tjera, të cilat mëngjezi i 26 nëntorit i preu ëndrrat në mes. I janë mirënjohës faktit se shpëtuan kokën, por jetesa pa një çati mbi kokë është rënduese