(Pa)siguria rrugore në Elbasan, shenja aksidentesh dhe barriera të pasigurta në akset kombëtare

Qarku i Elbasanit nga Peqini deri në Qafë-Thanë, ka disa pika të zeza sa i takon aksidenteve rrugore me pasoja të rënda. Më i fundit ishte ai i disa ditëve më parë në afërsi të Përrenjasit, ku humbi jetën një çift bashkëshortësh. Shpejtësia, përdorimi i celularëve dhe përdorimi i alkoolit, janë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve të evidentuara nga policia e qarkullimit rrugor. Por një tjetër faktor që ndikon në ardhjen e pasojës, janë edhe barrierat mbrojtëse rrugore dhe mosriparimi i tyre që dëmtohen nga aksidentet e mëparshme.

Ky vend ndodhet në afërsi të Librazhdit, ku një vit më parë humbën jetën katër persona. Sot e kësaj dite, barriera e dëmtuar ndodhet në të njëjtën gjendje.

Dëmtimet e barrierave nga aksidentet e mëparshme, jo vetëm që tërheqin vëmendjen dhe krijojnë një gjendje të zymtë të rrugëve, por janë rrezik edhe për mjetet e tjera, pasi janë jashtë funksionit të tyre, dhe këtë fakt e ka evidentuar edhe policia rrugore.

E derisa Autoriteti Rrugor të marrë masat e nevojshme, policia rrugore me kontrolle dhe gjoba do të përpiqet të minimizojë pasojat nga aksidentet rrugore.