Në kuadër të festës së 7 Marsit, një nga figurat më të respektuara të arsimit në Elbasan është vlerësuar për kontributin e saj të gjatë dhe të palodhur në edukimin e brezave.
Anila Çota, pas 40 vitesh në shërbim të arsimit, po mbyll këtë vit një kapitull të rëndësishëm të karrierës së saj me daljen në pension. Ky është edhe 7 Marsi i fundit si mësuese në detyrë, por jo si pjesë e pandarë e komunitetit arsimor dhe e nxënësve që ajo ka frymëzuar ndër vite.
Në një ceremoni surprizë të organizuar nga stafi i shkollës “Qamil Guranjaku”, ku ajo ka dhënë kontributin e saj, Çota u vlerësua edhe nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i cili i dorëzoi titullin “Mirënjohja e Qytetit”.
Ky vlerësim iu akordua “për kontributin e saj të rrallë dhe shumëdimensional në arsim dhe në shoqëri”, duke vënë në pah ndikimin që ajo ka pasur në formimin e shumë brezave nxënësish.
Gjatë karrierës së saj, përveç punës si mësuese, Anila Çota ka mbajtur edhe detyrën e drejtueses së Zyrës Vendore Arsimore në Elbasan, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në drejtimin dhe zhvillimin e sistemit arsimor në qytet.
Pas një rruge të gjatë dhe të përkushtuar, Anila Çota mbetet një figurë e respektuar dhe frymëzuese për nxënësit dhe kolegët, ndërsa puna dhe përkushtimi i saj do të mbeten një shembull për brezat që vijnë.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.