Friday , July 11 2025

Parkimi i dyfishtë/ Proda paralajmëron shoferët: Nuk do konsiderohet si shkelje e lehtë, por vepër penale

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ilir Proda ka deklaruar se parkimi i dyfishtë në qytet nuk do të konsiderohet me si një shkelje e lehtë. Gjatë një deklarate për mediat, Proda ka theksuar se kjo do të konsiderohet si vepër penale që bllokon kalimin e mjeteve. 

Proda më tej ka shtuar se rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj, ndërkohë që ka pranuar vështirësitë për të gjetur një vend parkimi në qytet.

“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal. Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm do të zhbëhet, me çdo kusht. Me të gjithë respektin për drejtuesit e automjeteve, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve dhe megjithë mirëkuptimin për vështirësitë e parkimit, rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj. Shefat e komisariateve dhe drejtuesit e strukturave që kanë përgjegjësi për territorin do të jenë personalisht përgjegjës për rastet kur evidentohen ndërtime pa leje, zaptime të pronave, bllokime rrugësh, kthim i hapësirave komunitare në parkingje private, apo çdo abuzim me mjedisin, veçanërisht në zonat e mbrojtura. Është e natyrshme që kur diçka e tillë ndodh, aty për aty ne të vihemi në lëvizje nga qytetarët, por është e papranueshme që ne të vihemi në lëvizje pasi abuzimi është bërë mal në sytë e të gjithë komunitetit dhe vetëm struktura pergjegjese nuk e ka marrë vesh akoma,” tha Proda.