Monday , May 5 2025

Pamje nga Aeroporti i Vlorës: Edhe 3 ditë larg uljes së avionit të parë

Ashtu siç ishte paralajmëruar pak ditë më parë nga Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, më 8 Maj në pistën e aeroportit të Vlorës do të realizohet fluturimi testues.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook, ku përkrah një video ku shihet pista e vijëzuar e aeroportit, ai shkruan: “Edhe 3 ditë nga ulja e avionit të parë në pistën e kodifikuar me inicialet VLO dhe për fillimin e testeve të hapjes graduale, për certifikimin përfundimtar”.

Aeroporti i Vlorës do të jetë më i riu në Mesdhe dhe do t’i shërbejë turizmit, ekonomisë dhe lidhjeve të drejtpërdrejta të rivierës shqiptare.

Shoqata Ndërkombëtare e Transportuesve Ajrorë ka vlerësuar aplikimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, si në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke vendosur kodin për aeroportet dhe shitjen e biletave VLO.

Aeroporti i Vlorës është një investim 104.5 mln euro dhe ndodhet në Akërni, jo më larg se 10 minuta nga autostrada Levan-Vlorë. Pista e aeroportit është e gjatë prej 3.2 kilometrash duke mundësuar edhe fluturimet transoqeanike.

Aeroporti pritet të jetë bazë për flotën e avionëve “Air Albania”, por edhe strehë për kompanitë “low cost” që do të mundësojnë fluturime me aeroportet e ngjashme në Itali, Greqi apo Spanjë.