Pa patentë dhe me shpejtësi 216 km/h, arrestohet 18-vjeçari në aksin Tiranë-Elbasan

Një 18-vjeçar me iniciale A.H. është arrestuar nga policia në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Në njoftim bëhet me dije se i riu dyshohet se po bënte gara shpejtësie në këtë aks ndërkohë që në momentin e arrestimit është konstatuar se po qarkullonte pa patentë.

“Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i policisë

Drejtonte pa leje drejtimi automjetin, me shpejtësi 216 km/h, vihet në pranga 18-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nisur nga analiza e kryer për rrugët më me risk, si dhe për drejtuesit e mjeteve që shfrytëzojnë disa akse rrugore për të qarkulluar me shpejtësi të lartë apo për të bërë gara shpejtësie, kanë vijuar monitorimin e qarkullimit rrugor me anë të radarëve automatikë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin A. H., 18 vjeç, pasi drejtonte pa leje drejtimi automjetin, me shpejtësi 216 km/h. Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.