Vokli Laroshi është rasti tipik kur një lojtar edhe pse nuk militon në një ekip elitar dhe nuk është në fokusin e vazhdueshëm të një ekipi në Superligë, mund të bjerë në sy me paraqitjet e tij. 19 vjeçari i portës së Turbinës, ka marrë sërish një ftesë nga tekniku i Kombëtares së Shpresave, Alban Bushi.
Ishte kjo një nga suprizat e këtij grumbullimi, duke parë se në listën me 25 futbollistë është i vetmi i grumbulluar nga një skuadër pa emër, ndryshe nga shokët e tjerë tek U-21. Laroshi ra në sy me paraqitjet e tij me ekipin e Turbinës këtë sezon, duke qenë një nga shtyllat e skuadrës dhe duke i mundësuar ekipit të tij realizmin e mbijetesës shumë javë para mbylljes së kampionatit dhe madje duke mos e vënë në diskutim atë.
Mirëpo, me mbylljen e këtij sezoni, ai është një lojtar i lirë dhe është i sigurt fakti që karriera e tij do të vijojë në një tjetër ekip. Sipas burimeve, dy janë mundësinë dhe alternativat që ka aktualisht në tavolinë ky portier: një ekip elitar në Superligë apo një aventurë jashtë vendit. Ofertat e para kanë nisur të vijnë në adresë të tij, por për momentin nuk kërkon të nxitohet.
Thirrja në Kombëtaren e Shpresave është edhe një mundësi e mirë për të që të jetë në vëzhgimin e shumë menaxherëve. Laroshi është gjithashtu i vetmi lojtar nga prefektura e Elbasanit që është pjesë e Shpresave, duke e kthyer atë edhe në lojtarin që në njëfarë mënyre përfaqëson në futboll një qark kaq të rëndësishëm si ai i Elbasanit.