Në festën e fundvitit të Qendrës kulturore, Elbasan, Xhon Abazi, talenti 10 vjeçar, demostroi veti shumë të mira aktoriale. Kësaj feste iu bashkuan shumë fëmijë të kësaj qendre, duke i dhënë jetë skenës me performancat e tyre.
Nën një dekor festiv, fëmijët e qendrës kulturore, Elbasan, kanë performuar për shfaqjen e fundvitit. Fëmijët të cilët ndjekin kurse në zhanre të ndryshme të artit, performuan këngë, valle, pjesë humoristike duke sjellë për të gjithë një shfaqje të mrekullueshme.
Këto këngë i ishin përshtatur festave të fundvitit, Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Për më shumë se 80 minuta, fëmijët i dhanë jetë skenës me performancat e tyre.
Në këtë aktivitet, një hapësirë iu dedikua edhe aktrimit, ku trupa e të vegjëlve aktorialë, shkëlqyen. Ata interpretuan “Kunati i shokut Xhemal”.
Xhon Abazi, djali që mbajti peshën e rolit kryesor, demostroi veti shumë të mira aktoriale. Dhjetë vjeçari, nxënës i shkollës “Sule Harri”, përveç aktrimit, i pëlqen shumë fotografia dhe muzika. Xhoni ëndërron të bëhet skenarist, talent të cilin po e ushtron që në këtë moshë. Ai i ka bërë tentativat e para në këtë disiplinë, tashmë!
Në këtë pjesë teatrore, Xhoni, tregoi se mund të përcillte me humor çdo batutë, duke shkaktuar të qeshura te publiku që e përcolli nga afër në Qendrën Kulturore.
Qendra kulturore e fëmijëve, Elbasan, është një qendër ku fëmijët zhvillojnë kurse në zhanre të ndryshme të artit, si kurse kantoje, pikture, aktrimi, etj. Fëmijët e shikojnë qendrën kulturore si hapin fillestar në realizimin e ëndrrave të tyre, sepse ata aspirojnë për një jetë artistike mjaft të pasur.
Xhon Abazi, aktori i vogël në rolin kryesor (Loni)
Ju ftojmë të ndiqni më poshtë në video shfaqen e komedisë “Kunati i Shokut Xhemal”, por në versionin e performuar nga këta aktorë të vegjël me premisa të mëdha aktrimi.
(Portali Shkollor)