Njihuni me Erlindën, vajzën nga Elbasani suksesi i së cilës u vendos në fokus të medias suedeze

Erlinda Lleshi është vajza nga Elbasani së cilës i është kushtuar një artikull i plotë në median suedeze “Smalandas Dagblad”. 27-vjeçarja nga Elbasani ka mbaruar studimet për Inxhinieri IT në Universitetin e Tiranës, ndërkohë që shtetin skandinav punon si teknike për IT, kryesisht për konsumatorët anglishtfolës.

“Kam qenë gjithnjë e interesuar për njohjen e gjuhëve të huaja”, -është shprehur ajo.

“Jam njohëse e mirë e gjuhës angleze, italiane, di pak turqisht dhe së fundmi suedisht”.

Suedishtja është një gjuhë ugofone, e veçantë dhe mjaft e ndryshme nga të tjerat, çka e ka nxitur edhe më tepër elbasanasen t’i dedikohet mësimit të gjuhës.

“Suedishtja është gjuhë mjaft interesante dhe shumë e ndryshme nga të tjerat. Shqiptimi i fjalëve, mënyra e të folurit është e veçantë.”

Ajo ka theksuar se gjithnjë është përpjekur të kominukojë me vendasit, të zhvillojë dialogje për të kuptuar dhe mësuar gjuhën.

Gjithashtu, ishte mësuesja sudeze në pension, Marianne Elmér ajo që e ndihmoi Lleshin të mësonte gjuhën vendase në mënyrën më të mirë të mundshme duke i dhënë mësim dhe duke i siguruar librat e nevojshme.

Siç theksohet dhe në artikull, ishte dashuria ajo që do e mbante vajzën shqiptare në Suedi.

Me bashkëshortin e saj shqiptar, Noja, është njohur që në moshën 16-vjeçare, ku të dy ishin të fokusuar tek studimet dhe nuk e shihnin njëri-tjetrin më shumë se miq. Pas disa viteve në rrjetin e saj social i vjen një mesazh përshëndetjeje nga ai, çka do t’i hapte rrugë ngjalljes së ndienjës së dashurisë.

Peripecitë për çiftin shqiptar fillojnë në Suedi, ku Noja ishte zhvendosur prej vitesh, ndërkohë që Erlinda kishte ndërtuar një jetesë komode në Tiranë pas studimeve.

“Largimi nga Tirana nuk ishte në planet e mia,-ka thënë ajo- por dashuria jonë ishte aq e fortë sa që në vitin 2018 aplikova për “leje qëndrimi” në Suedi.

Ishte periudhë e vështirë në jetën e saj pasi i duhej të qëndronte tre muaj larg dashurisë së saj në Suedi dhe të kthehej përsëri në Shqipëri.

“Miku im Magnus Öhrlund na ka ndihmuar shumë gjatë asaj periudhe të vështirë që po kalonim. Ai ka përfshirë në bisedat e suedezëve, për të kuptuar më mirë kulturën e tyre”.

Më pas ajo ka shtuar se miku suedez e ka mbështetur gjithnjë, duke i thënë se me punë gjithçka do të arrihej.

Gjatë një eskurisoni në Eksjö Erlinda hasi kompaninë JSC, ndërtesa e së cilës ishte me disa ngjyra.

Ishte ky momenti ku ajo do të aplikonte për të punuar në fushën e teknologjisë (IT), por për të nuk kishte vend bosh dhe gjuha ende nuk kishte arritur të perfeksionohej. Mos gjetja e një vendi pune dhe mos pranimi i lejes së qëndrimit do të vendoste në pikëpyetje lidhjen dashurore mes dy të rinjve.

Ishte sërisht miku i tyre suedez, Magnus Öhrlund që do të bindte çiftin shqiptar që të riaplikonin për leje qëndrime.

Në Tetor të 2019 Erlinda dhe Noja u martuan dhe pas shumë peripecive, lotësh, humbje të shpresave në Mars të 2020 ajo fitoi të drejtën e të qëndruarit në mënyrë legale në Suedi.

Tashmë ajo punon për Expodul pasi mori telefonatën konfirmuese nga Anna Palmgren se ishte pranuar të punonte në JSC.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për jetën e saj në Suedi, elbasanasia është shprehur se nuk dëshiron të ndryshojë asgjë në të përditshmen e saj. Sfidat e kaluara për mosmarrjen e shpejt të lejes së qëndrimit e kanë ndihmuar të kuptojë akoma dhe më tepër dashurinë që ka për bashkëshortin e saj./ elbasani.on