Një mundësi për të gjithë të rejat që duan të jenë të pavarura ekonomikisht dhe të perfeksionojnë vetveten në fushën e teknologjisë.
Banka Botërore sapo ka lançuar nismën e saj më të re të titulluar “Digital Jobs Albania” e cila synon të shfrytëzojë ofrimin e shërbimeve digjitale si një mundësi ekonomike për vendin. Nisma e cila gëzon mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, do të ofrojë një kurs trajnimi intensiv 3-mujor FALAS për aftësitë digjitale për vajzat dhe gratë e moshës 16-35 vjeç, duke i pajisur ato me njohuritë e duhura që u mundëson akses në punësimin online si profesioniste të lira në fushën e grafik dizajn, zhvillimit të faqeve të internetit dhe të marketingut digjital. Nisma po zbatohet nga Coderstrust (një kompani ndërkombëtare që ofron trajnim mbi aftësitë digjitale) dhe EuroPartners Development (një kompani konsulente vendase) në bashkëpunim të vazhdueshëm me Bankën Botërore dhe Qeverinë.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës së grave në Shqipëri është ende 14.6 pikë përqindje më e ulët se sa ajo e burrave. Sipas të dhënave të vitit 2020 të Institutit Kombëtar të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), hendeku gjinor i pagave mbetet 6.6 përqind. Në këtë kuadër, zhvillimi i modelit të punës së pavarur në internet mund të luajë një rol të rëndësishëm në ngushtimin e këtyre hendeqeve.
Ne mendojmë se kjo nismë është një mundësi e shtuar si për ekosistemin po ashtu për gratë dhe vajzat shqiptare për më shumë pavarësi ekonomike dhe avancim profesional. Ndaj si partnerë të rëndësishëm në këtë kauzë, ju ftojmë që të bashkoheni në këtë thirrje drejtuar këtij grupi interesi duke e shpërdarë këtë informacion në kanalet tuaj të komunikimit dhe databazën e komunitetit që ju përfaqësoni.
Për të mësuar më shumë rreth nismës Digital Jobs Albania dhe si të merrni pjesë në të, ju ftojmë të vizitoni faqen zyrtare www.digitaljobsalbania.com
Gjithashtu më poshtë mund të gjeni linqet e medias sociale të projektit të cilat ju ftojmë t’i ndiqni për informacione më të përditësuara në kohë reale.