Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja dhe deputetët Evis Kushi e Florenc Spahu inspektuan ecurinë e punimeve që po kryhen për rikonstruksionin e argjinaturës së përroit të Zaranikës në Elbasan.
Çarja e argjinaturës së këtij përroi dhe degradimi për shkak të mbi 50 viteve që nuk është ndërhyrë, rrezikonte përmbytjen e mbi 50 mijë banorëve të Elbasanit.
Në fjalën e tij, Balla tha se ky është një projekt i madh që shkon 2 milionë dollarë dhe synon riforcimin e të dy pritave anësore të përroit të Zaranikës, i cili ka rreth 50 vjet që nuk është vënë dorë.
“Zaranika ka qenë një prej shqetësimeve më të mëdha të Elbasanit sepse pas 50 viteve që nga ndërtimi i saj ishte bërë emergjente ndërhyrja për shkak të dëmtimeve që kishin ndodhur prej shumë vitesh. Në rast se nuk ndërhynim në këtë kohë, më pas mund të kishte qenë vonë.
Ky është një projekt i madh që shkon 2 milionë dollarë dhe që synon riforcimin e të dy pritave anësore të përroit të Zaranikës.
Për ne është shumë e rëndësishme cilësia e punimeve sepse këtu është investuar para 50 viteve dhe po investojmë për shumë vite që do të vijnë. Padyshim që ne do t’ju mbështesim edhe për pjesën e dytë dhe të tretë të projektit për ta shndërruar këtë zonë në një shëtitore dhe hapësirë shlodhëse për njerëzit.”, deklaroi Balla.
Ndërsa Kryetari i Bashkisë, Llatja në fjalën e tij theksoi se investimi ishte i domosdoshëm ndërsa shtoi se synimi është kthimi i kësaj zone në një shëtitore për qytetarët.
Përroi i Zaranikës ka një shtrirje prej 5.1 km dhe dalja e tij nga shtrati, apo më keq akoma shkatërrimi i argjinaturës, përbënte rrezik konstant për përmbytje. Projekti ka parashikuar ndërhyrje në të gjithë gjatësinë e tij deri në derdhjen në lumin Shkumbin duke i dhënë zgjidhje përfundimtare problemit.