Përgjatë një sezoni ka lojtarë individualë që mund të spikasin për mirë dhe nga ata që nuk janë në pritshmërinë e duhur. Në fund, është vlera e tyre në treg që tregon edhe ecurinë që kanë pasur me klubin ku bëjnë pjesë. Përjashtim nuk bëjnë as futbollistët e ekipit të Elbasanit.
Një analizë e vlerës së tyre të bërë nga “Panorama Sport” që nga momenti i mbërritjes në klub e deri më sot, tregon qartë përparimin e disa futbollistëve, stabilitetin e të tjerëve dhe, në disa raste, uljen e vlerës për arsye të ndryshme. Të dhënat janë përpunuar nga faqja e specializuar ndërkombëtare “Transfermarkt”.
VLERAT NË RRITJE – Në krye të listës janë ata që kanë përjetuar një rritje të ndjeshme të vlerës. Bledar Lila ka kaluar nga 150 mijë euro në 250 mijë, nga koha kur është transferuar nga ekipi i Egnatias. Ai është edhe lojtari me rritjen më të ndjeshme në kampin verdheblu. I dyti është Blaise Tsague nga 150 në 225 mijë, duke reflektuar paraqitjet pozitive që kanë pasur me elbasanasit.
Kristi Qose dhe Xhonatan Lajthia gjithashtu kanë shënuar përmirësime domethënëse, ndërsa Amarildo Gjoni, i cili erdhi me një vlerë relativisht të ulët (70 mijë), ka arritur tashmë në 150, një rritje që flet për progres të shpejtë. Praktikisht, janë pesë lojtarë që tani vlejnë më shumë sesa nga koha kur mbërritën në Elbasan.
VLERAT KONSTANTE – Një pjesë e madhe e skuadrës ka ruajtur vlerën e tyre që prej mbërritjes në Elbasan. Dhe nuk janë pak, por plot 12 lojtarë që nuk kanë pasur asnjë ndryshim në vlerë, as u është ngritur dhe as ulur, duke treguar që kanë pasur stabilitet këtë sezon me verdheblutë. Bëhet fjalë për emra të rëndësishëm, si: Kristian Dros, Bruno Lulaj, Ze Gomesh etj., të cilët kanë qëndruar konstantë në nivelin e tyre, duke sjellë një stabilitet të nevojshëm në grup. Kjo lloj qëndrueshmërie është shpesh themeli mbi të cilin ndërtohet një skuadër konkurruese.
VLERAT NË RËNIE – Por jo të gjithë kanë pasur një rrugëtim në rritje apo të jenë konstant. Bëhet fjalë për katër lojtarë dhe që kanë arsyet e tyre për këtë rënie. Emir Azemoviç, dikur me një vlerë prej 500 mijë euro, tani vlerësohet në vetëm 150, duke qenë futbollisti me rënien më drastike. Ka një logjikë në këtë gjë, sepse mbrojtësi nuk luajti asnjë ndeshje me verdheblutë për shkak të dëmtimit të rëndë.

Një ulje ka pasur edhe Sigitas Olberkis ka zbritur nga 450 në 300 mijë, ndonëse gjysmë sezoni i tij me elbasanasit ka qenë pozitiv, duke qenë një titullar i padiskutueshëm. Edhe Abas Ibrahim me Karim Loukilin kanë humbur vlerë, me rënie që mund të lidhen me formën, minutazhin apo faktorë të tjerë personalë, në një kohë që erdhëm vetëm në muajin janar me elbasanasit.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL