Sunday , November 27 2022

 Nga Tirana te Vllaznia, Elbasani dhe Kukësi Superiorja, stadiumet e reja janë si mallkim për klubet

Kukësin e ndjek mallkimi i stadiumit. Nuk është e thënë që klubet të cilat ia arrijnë të krijojnë një infrastrukturë sa më moderne të kenë edhe rezultatet e pritura në fushë.

I fundit që e prek “mallkimi” i stadiumit është pikërisht ekipi verilindor, që e mbylli sezonin në vendin e katërt me italianin Diego Longo si trajner.

Pavarësisht pritshmërive që kishin në fillim të sezonit, në fund nuk realizuan asnjë objektiv, duke mbetur për herë të dytë radhazi jashtë Europës.

Megjithatë, në krahasim me simotrat e saj në Shqipëri, të cilat ranë nga kategoria, për fat të mirë kuksianët nuk shkuan deri në këtë pikë, por u mjaftuan me mospjesëmarrjen në Europë, e cila në njëfarë mënyre është një dështim.

Në “Kukës Arena” skuadra luajti vetëm katër ndeshje për këtë sezon, ku koleksionoi dy fitore, një barazim dhe një humbje.

Ekipet që janë ndjekur nga ky mallkim këto 10 vitet e fundit kur edhe infrastruktura u rregullua janë Elbasani, Tirana dhe Vllaznia, të cilat në krahasim me Kukësin, kanë përjetuar dështime të mëdha.

ELBASANI

Ndërtimi i stadiumit “Elbasan Arena” shihej si një mundësi e mirë edhe për ekipin e qytetit, Elbasanin, por në momentin që “shkeli” në tapetin e atij stadiumi, shkoi gjithnjë poshtë e më poshtë, pasi u rrëzua nga elita në sezonin 2014-2015.

Nga Superliga ra në të Parën, më pas në të Dytën dhe situata nuk është aspak e mirë, aq sa është në kushtet e ekzistencës pas përfundimit të këtij sezoni.

U bënë vite që skuadra përveçse merr pjesë në nivele të ulëta, nuk luan më as në stadiumin e vetë, një impiant që erdhi si një mallkim për këtë klub.

TIRANA

Rekordmenët e futbollit shqiptar, Tirana, provuan për herë të parë edhe rënien në Kategorinë e Parë në sezonin 2016-2017, diçka që nuk kishte ndodhur asnjëherë në historinë e tyre.

Si për ironi, e gjitha ndodhi pas rikonstruksionit të pjesshëm që iu bë “Selman Stërmasit”, i cili pritej të ishte një motiv më shumë për bardheblutë, që të luanin në kushte sa më komode.

Megjithatë, ndryshe nga Elbasani, kryeqytetasit u ringritën dhe ai sezon duket se është harruar.

VLLAZNIA

Pas Tiranës, një tjetër ekip i traditës në vendin tonë provoi Kategorinë e Parë pas rindërtimit të “Loro Boriçit”.

Sinjalet për një skuadër me probleme u dhanë që në sezonin 2016-2017, ku fituan duelin me bardheblutë se cili do të qëndronte në elitë. Ndërsa vitin pasardhës ranë vetë.

Bëhet fjalë për sezonin 2017- 2018. Edhe në këtë rast mallkimi i stadiumit dha efektin e vetë, por ashtu si bardheblutë, shkodranët ia dolën të ringrihen pas këtij momenti.

VLADIMIR MEMA

Advertisement

Nje koment

  1. Pingback: 3provincial