Familja Kola, që humbi jetën tragjikisht në Itali, ishte nga fshati Gryksh i Peqinit.
Një fshat i vogël, sot i zhytur në heshtje dhe dhimbje. Prej rreth katër vitesh, familja Kola jetonte në Itali, aty ku kishin ndërtuar me mund dhe sakrifica një jetë të re. Por ëndrra e tyre u ndërpre papritur, pasi humbën jetën të helmuar nga monoksidi i karbonit. Një tragjedi që tronditi dy vende njëherësh dhe la pas një boshllëk të pamatshëm.
Në Gryksh, shtëpia e tyre qëndron e mbyllur. Dyert nuk do të hapen më kurrë. Mbi njërën prej tyre, ende lexohet emri i Darit, i gdhendur me dorën e tij kur ishte vetëm një fëmijë, në ditët e lojërave me shokët në oborr. Një shkrim i thjeshtë, i mbetur si dëshmi e pafajësisë dhe e një jete të ndërprerë shumë herët.

Banorët e fshatit flasin pak. Dhimbja është e madhe dhe fjalët duken të tepërta. Të gjithë e kujtojnë familjen si punëtore dhe të qetë, që u largua për një të ardhme më të mirë, ashtu si shumë të tjerë nga ky fshat.
Pas viteve të tëra pune, ata arritën të ribashkoheshin dhe të blinin shtëpinë e tyre në Itali, por nuk arritën kurrë ta gëzonin. Sot, ajo shtëpi dhe kjo në Gryksh janë dy hapësira të mbetura bosh, të lidhura nga e njëjta dhimbje.
Në Gryksh, koha duket sikur ka ndalur. Dhe shtëpia e familjes Kola, e mbyllur në heshtje, është kthyer në simbolin e një ëndrre të thyer dhe të një humbjeje që nuk do të harrohet kurrë.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.