Duke nisur nga dita e hënë do të hapen baret dhe restorantet në të gjithë vendin, të cilat u mbyllën në mes të muajit mars, pasi situatës së shkaktuar nga koronavirusi. Ndonëse këto aktivitete do të hapen nesër, ato do të vijojnë punën me rregulla të forta, ku sipas mjekut infeksionist, Tritan Kalo, baza është distancimi social.
Në një intervistë për emisionin ‘Kjo javë’ të Nisida Tufës, Kalo tha se nëse respektohen masat, atëherë do të dalin shumë shpejt nga kjo situatë.
“Mesa di unë, fillimisht do të hapen mjediset e jashtme dhe më pas të brendshme. Rreziku në këto mjedise është asi në rrugë. Nëse nuk respektohet fjala distancim, s’ka kuptim. Duhet të mundohemi ta zbatojmë këtë distancë. Ndërsa kërkohet të zbatohet në rrugë, edhe në lokale do të zbatohet. Nëse diçka e tillë respektohet, dhe s’do të ketë shkelje të kritereve, do jetë e shpejtë dita kur njerëzit të kalojnë tek tradita, që të mblidhemi me shoqërinë, në lokale e restorante dhe brenda. Do të jemi bashkë, por edhe larg njëkohësisht,”- tha mjeku.