Nga deklarata kundër formatit deri te “gabimi” që e largoi nga fitorja. Flet Jul Deda

“Kush hyn i pari del i fundit!” ishin fjalët e para që Jul Deda tha në dhomën e rrëfimit, më 13 janar dhe gjithçka ishte në anën e tij deri në podiumin final, ku fitoren e mori Egla Ceno.

I ftuar në “Ftesë në 5”për të folur për këtë eksperiencë, që para disa kohësh kishte tjetër mendim, aktori i humorit u shpreh për eksperiencën e tij gjatë 133 ditëve brenda shtëpisë më të famshme në vend.

Ai u ndal së pari te statusi që kishte bërë vite më parë ku shprehej kundër formatit. Mirëpo sipas tij ajo çka e shtyu të bënte atë status, ishin banorët e atij edicioni, të cilët nuk i lanë asnjë mbresë.

Në 2014 mos gaboj e kam bërë atë status. Banorët janë ata që e bëjnë “Big Brother”-in dhe atë vit nuk më la asnjë mbresë. Përveç kësaj, njeriu që nuk ndryshon mendje është budalla. Kush jam unë të gjykoj formatin? Është eksperiment social që unë e provova tashmë dhe lëvrohet në shumë vende të botës. Statusin e lidh me atë edicion, por jo se nuk kam respekt për formatin.

Mandej, u pyet se po të ishte jashtë, çfarë mendimi do të kishte për këtë edicion. Ai u shpreh se ka qenë një edicion i egër dhe kjo gjë i pëlqen, sepse asnjë nuk e ka pasur të lehtë.

Ka qenë një edicion i egër, intensiv, me shumë persona. Sport për peshat e rënda. Më i egri që është bërë ndonjëherë. Nuk kishte vetëm një person që dominoi, por disa pretendentë. Kjo më jep ndjesi të mirë, sepse nuk ka qenë një garë e lehtë për asnjë.

Gjatë bisedës u pyet edhe për debatin me Eglën që u komentua se kishin risjellë skeçin e disa viteve më parë. Jul Deda tha se nuk e mbante mend skeçin dhe reagimin e Eglës e mori si sulm. 

Si nuk i ruajta ato mbathje, ta kisha mbyllur atë skenë, – tha ai dhe qeshi. Skena është e dubleksit, është bërë para 6 vjetësh, por unë se mbaja mend skeçin. Nëse e ka mbajtur mend Egla dhe e ka futur, nuk e di dhe s’mund ta them, por nuk e besoj. Egla u fut në lojë që në sekondën e parë. Unë nuk i duroj kostumet. U fikën dritat dhe hoqa pantallonat dhe dola me mbathje. Kalon Egla. Unë dhe Egla s’kemi pasur afrimitet. Dy herë e kam takuar Eglën, një herë kur mbaruam shkollën dhe kur bëmë skeçin. Dhe kur dy persona s’kanë afrimitet, vërejtjet kanë njëfarë kritike brenda. Ndaj, e mora si debat dhe iu ktheva. Pashë tendencën e saj për të agravuar situatën dhe për mua s’ka lidhje me skeçin, aleancën, marrëveshjen.

Gjithashtu u pyet nëse ka bërë një gabim gjatë rrugëtimit të tij në “Big Brother” që e ka larguar nga fitorja dhe ai u shpreh se gabimi i vetëm ka qenë që s’u fut në lojë që në ditën e dytë.

Po të kthehesha të njëjtën gjë do të kisha bërë. E di çfarë kam bërë gabim? Që nuk e kam filluar lojën që në ditën e dytë. Dy javët e para po njiheshim me banorët. Kisha dëshirë t’i shikoja. Aq e egër sa u bë loja do ta kisha filluar që në ditën e dytë, – u përgjigj ai.