Nga Armida Plangarica: TË JESH SHQIPTAR DHE KRENAR!!!!

“Krenari e përligjur “shpërtheu ne rrjetet sociale pas ndricimit simbolik të shatrivanit në Athinë, në sheshin  “Omonia” me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar.Madje shumë nxituan të shprehen që nga këndej e tutje nuk do të kenë me turp të deklarojnë identitetin e tyre kombëtar shqiptar!!!!! Thua se deri dy ditë më parë , të qenit shqiptar ishte turp!!!!

Në fakt, ky kompleks inferioriteti i nxitur nga nacionalizmi provincial që ushqejnë disa krerë shoqatash shqiptare këtu ne Greqi, nuk përputhet me profilin që cdo shqiptar solli me vete nga vendi mëmë dhe të cilit i shtoi me mund , durim e sakrifica, tipare të qytetarit Europian të integruar më së miri me punën e tij dhe vetëm.

Të ecësh me kokën lart në sheshin “Omonia” si shqiptar sot, nuk ta jep të drejtën nje shatrivan i ndricuar me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar!

Jo , jo!!! Është një e drejtë e themeluar nga vetë shqiptarët që në shekuj i kanë qenë pranë popullit grek.Aty ku politika ka vënë zjarr, njerëzit e thjeshtë kanë shtrirë dorën e pajtimit. Aty ku natyra ka treguar tërbim, dy popujt i kanë dhënë ndihmën e pacmuar njëri tjetrit.

 30 vitet e fundit , nëse një kontigjent i caktuar emigrantësh shqiptarë në Greqi,në aparencë merrej me punë te pakualifikuara , si ndihmës shtepiakë, si babysitter, si kujdestarë të moshës madhore,si bujq,si blegtorë ,si ndërtues, në fakt bënë punët më të nderuara.

Sepse për shumë vite, miqtë grekë u besuan atë që kishin më të shtrenjtë, shtëpitë, pasuritë , familjet e tyre, nëna, baballarë e fëmijë.

E jo vetëm kaq, për ta shqiptarët janë të pazëvendësueshëm për ndershmërinë, zellin,besnikërinë dhe bujarinë. E pra, identiteti i shqiptarit nuk përligjet nga një festë kombëtare dhe ngjyrat e saj. Identiteti i shqiptarit dhe i cdo individi krah tij, përligjet nga historia, tradita, zakonet, principet dhe morali që mbart mbi vete.

Shqiptari i Greqisë është krenar për identitetin e tij kombëtar, por edhe atë kozmopolit, sepse diti të bashkojë cfarë ka të perbashkët me mikun-vëlla grek dhe diti të hedhë tej cfarë e ndan!!!

Krenarë sot dhe gjithmonë për Shqipërinë-Atdheun që na ra në fat, krenarë sot dhe gjithmonë për Greqinë-Atdheun që zgjodhëm për fëmijët tanë!!!!